Skip to content

Pakti i Mekës: ja kur trupat turke do të zbarkojnë në Arabinë Saudite

Turkey Saudi Arabia Pakistan Mecca Pact Mecca 8 7 2026 handout Pakistan PM Office AFP.jpg 1

Parlamenti turk miratoi të premten ligjin që i jep fuqi marrëveshjes së mbrojtjes së Mekës, duke përmbyllur një fazë të rëndësishme të procesit ligjor për zbatimin e saj.

Projektligji u miratua me 279 vota pro, ndërsa 119 deputetë votuan kundër. Ai mori mbështetjen kryesisht të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), në pushtet, dhe aleatit të saj në koalicion, Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP).

Megjithatë, nismën e mbështeti edhe Partia Popullore Republikane (CHP), e cila zyrtarisht është forca kryesore e opozitës.

Pas largimit të kryetarit të saj me vendim gjykate, CHP-ja është ndarë në dy kampe dhe drejtimi i ri i partisë po afrohet gjithnjë e më shumë me qëndrimet e qeverisë turke.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan pritet ta publikojë ligjin në Fletoren Zyrtare brenda kësaj jave, duke i hapur rrugë hyrjes së tij në fuqi.

Sipas marrëveshjes, të nënshkruar në gusht nga tri fuqi rajonale – Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite – dhe të paraqitur muajin e kaluar në parlamentin turk për miratim, një sulm ndaj njërës prej palëve konsiderohet sulm ndaj të gjithave.

Teksti i marrëveshjes nuk përcakton ndonjë shtet apo rajon të veçantë si kërcënim, por thekson se të gjitha vendet pjesëmarrëse do të marrin masat e nevojshme për të mbështetur njëra-tjetrën në rast të një sulmi të armatosur kundër pavarësisë, sovranitetit ose integritetit territorial të cilitdo prej tyre.

Marrëveshja përbëhet nga 16 nene dhe nuk ka një afat të përcaktuar përfundimi. Palët mund të tërhiqen prej saj vetëm pasi të kenë kaluar dhjetë vjet nga hyrja e saj në fuqi.

Për këtë duhet të njoftojnë me shkrim vendet e tjera nënshkruese, të paktën tre muaj përpara datës së tërheqjes. Burime të njohura me çështjen i thanë Middle East Eye se të tria vendet aleate ishin zotuar ta ratifikonin zyrtarisht traktatin përpara takimeve të konsultimit trepalësh, të planifikuara për më vonë gjatë këtij muaji.

Pakistani dhe Arabia Saudite njoftuan muajin e kaluar se e kishin përfunduar tashmë këtë procedurë. Zyrtarët turq thonë se hapi i radhës është marrja e autorizimit parlamentar për dislokimin e trupave turke në Arabinë Saudite.

Ky dislokim synon të shprehë solidaritetin me Riadin dhe të ndihmojë në mbrojtjen e tij nga sulmet e huthinjve që vijnë nga Jemeni.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi javën e kaluar se çdo dislokim i mundshëm i trupave në Arabinë Saudite do të kishte karakter mbrojtës. Ai theksoi gjithashtu se forcat turke nuk do të zhvillonin operacione ushtarake në territorin e Jemenit.

Megjithatë, përpara se trupat të mund të dislokohen, Ankaraja duhet të përfundojë edhe një tjetër procedurë të rëndësishme: negociimin dhe ratifikimin e një marrëveshjeje për statusin e forcave ushtarake, e njohur me termin anglisht Status of Forces Agreement (SOFA).

Një burim tjetër, i tha Middle East Eye se kjo marrëveshje duhet të përcaktojë qartë se cilat juridiksione penale dhe civile do të zbatohen për ushtarakët dhe personelin turk gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite.

Marrëveshje të tilla rregullojnë zakonisht edhe procedurat e hyrjes dhe daljes nga vendi, çështjet doganore dhe tatimore, regjistrimin e automjeteve, si dhe garancitë dhe mbrojtjen ligjore që u ofrohen forcave të huaja gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme.

Deri më tani nuk dihet nëse negociatat për këtë marrëveshje kanë përfunduar. Miratimi i paktit nga parlamenti turk shënon kështu një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mekanizmi të përbashkët ushtarak mes Ankarasë, Riadit dhe Islamabadit.

Por hyrja e trupave turke në Arabinë Saudite mbetet e kushtëzuar nga dy hapa të tjerë: autorizimi parlamentar për dislokimin dhe përfundimi i marrëveshjeve ligjore që do të përcaktojnë statusin dhe kompetencat e tyre në territorin saudit. \\