Skip to content

Takimi më Gogun dhe transferimi drejt Fierit, Kapri i kërkon llogari Drejtoreshës së Burgjeve për Veliajn, Bodo: Janë sekrete!

56

Transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit dhe takimi që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi me të në ambientet e burgut, janë bërë pjesë e diskutimeve në Komisionin për Çështjet e Brendshme. Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i kërkoi llogari Drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, për rrethanat e transferimit dhe vizitën e ministrit, ndërsa kjo e fundit u përgjigj se dokumentacioni përkatës është i klasifikuar.

Gjatë raportimit në komision, Kapri ngriti edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e burgjeve. Ai kërkoi sqarime për pretendimet mbi takime të paregjistruara të personazheve të njohura të botës së krimit me të dënuar të tjerë, si dhe për një dhomë të rikonstruktuar në burgun e Peqinit, të cilën e përshkroi si një ambient luksoz, në ngjashmëri me një dhomë hoteli.

Deputeti u ndal veçanërisht te rasti i Erion Veliajt, duke kërkuar të dijë nëse transferimi i tij drejt Fierit dhe takimi me ministrin Gogu janë objekt verifikimi. Ai pyeti gjithashtu nëse klasifikimi si sekret zbatohet për të gjitha transferimet apo vetëm për rastin e kryebashkiakut të Tiranës.

“Dua të di edhe orën kur ministri ka shkuar në takim me zotin Veliaj dhe takimi është bërë në zyrën e drejtorit të burgut të Fierit. Po e hetoni këtë rast dhe kjo vizitë a po hetohet?”, pyeti Kapri.

Në përgjigjen e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, tha se për marrjen e informacionit duhet të ndiqet procedura përmes një kërkese zyrtare.  Bodo deklaroi se urdhrat e transferimit janë klasifikuar si akte me nivel sigurie “i kufizuar” dhe kanë afat ruajtjeje dy vjet. Ndërsa raportet, memorandumet dhe vlerësimet individuale që hartohen për transferimet për arsye sigurie klasifikohen si “sekret” dhe ruhen për 10 vjet.

“Të premten firmosa 93 urdhra transferimi, kompetencë e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Me përgjegjësi të plotë ju them se urdhri i transferimit është klasifikuar, futet në kategorinë e akteve të klasifikuara me nivelin e kufizuar dhe me afat ruajtje dy vite. Çdo raport, memo, vlerësim individual mbi rastin që kryhet për shkaqe sigurie futet në kategorinë “sekret” dhe ruhet për 10 vite.

Kjo ka rregullim edhe për se si këto akte vihen në dispozicion. Ndiqni procedurën për çdo kërkesë që doni t’ju vihet në dispozicion”, tha ajo.