Skip to content

Mjegulla kthehet në makth/ Mbi 50 automjete të aksidentuara, të paktën 12 viktima

Screenshot 7 4

Një aksident masiv me mbi 50 automjete të përfshira ka shkaktuar 12 viktima dhe rreth 48 të plagosur në Bullgarinë juglindore. Përplasjet e njëpasnjëshme ndodhën të martën në mëngjes, në të dyja anët e autostradës Trakia, pranë qytetit të Jambolit, që lidh kryeqytetin Sofje me qytetin bregdetar të Burgasit.

Sipas autoriteteve, shkak kryesor i aksidenteve dyshohet të ketë qenë mjegulla e dendur, e cila kishte ulur ndjeshëm fushëpamjen. Një dëshmitar okular tha se dukshmëria në rrugë ishte vetëm rreth 30 metra.

Screenshot 8 2

Pamjet e publikuara nga televizioni bullgar Nova tregojnë përmasat e aksidentit, me kamionë, furgonë dhe makina të përplasura e të bllokuara mes njëra-tjetrës. Në disa raste, automjetet janë shtypur mes kamionëve, ndërsa mbeturinat kanë mbuluar një pjesë të rrugës. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe ambulancat, ndërsa ekipet e shpëtimit punuan për nxjerrjen e personave të bllokuar brenda mjeteve.

Kreu i policisë rrugore në Jambol, Todor Mishinev, bëri të ditur se mes personave të bllokuar kishte edhe drejtues kamionësh cisternë. Për t’i nxjerrë ata, ekipet e shpëtimit u detyruan të prisnin pjesë metalike të automjeteve.

Screenshot 9 2

Të plagosurit u transportuan në spitalet e Jambolit dhe qytetit të afërt të Slivenit. Disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa për disa të tjerë raportohet se janë në rrezik për jetën.

Për shkak të aksidenteve, kryeministri bullgar Rumen Radev anuloi angazhimet e planifikuara në Varna. Ndërkohë, në vendngjarje u nisën zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, e cila pritet të japë një deklaratë nga spitali në Sliven.

Autostrada Trakia është bllokuar në të dyja drejtimet, në segmentin mes kryqëzimeve Zimnitsa dhe Kabile. Autoritetet bëjnë me dije se mbyllja do të zgjasë për shkak të numrit të madh të automjeteve të përfshira dhe hetimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidenteve.