Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paraqitur propozimet e tij për ndryshimin e sistemit politik dhe zgjedhor në Shqipëri, duke i cilësuar ato si zgjidhjet e vetme për rikthimin e sovranitetit te qytetarët dhe garantimin e demokracisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta kërkon rikthimin e Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, me argumentin se kjo do të rivendoste ndarjen e pushteteve dhe sistemin e kontrollit e balancës mes tyre.
Një tjetër kërkesë e tij është hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që përfaqësuesit të marrin mandatin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Meta kërkon gjithashtu rikthimin e balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, duke argumentuar se fituesi duhet të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Sipas kreut të Partisë së Lirisë, këto ndryshime do t’u krijonin mundësi edhe kandidatëve të pavarur, me integritet dhe kontribute publike, të garonin përballë kandidatëve të partive politike.
“Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!”, shkruan Meta, duke shtuar se shqiptarët meritojnë të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre dhe të kenë një zë më të fortë në vendimmarrje.
Në reagimin e tij, Meta e lidh zbatimin e këtyre propozimeve edhe me çlirimin e shtetit nga kapja politike dhe përshpejtimin e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Reagimi i plotë:
VETËM KËTO JANË ZGJIDHJET!
Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.
Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!
Shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!
Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e “Rilindjes”.
Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar.
