Skip to content

Shisnin drogë pranë shkollave në Laç, arrestohen dy persona, sekuestrohen 126 doza kokainë dhe kanabis. Pamje me dron nga operacioni

Capture 137

Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi dyshohet se ushtronin veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike në doza, kryesisht në afërsi të shkollave. Operacioni policor i koduar “Quick Strike 2” u finalizua në kuadër të planit operacional “Shkolla të Pastra”, që synon parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së drogës në perimetrat e sigurisë së institucioneve arsimore.

Në pranga kanë rënë dy shtetas me inicialet V. R., 23 vjeç, dhe A. Gj., 36 vjeç, të dy banues në Laç, Kurbin. Ata u kapën në flagrancë pranë një shkolle në qytet.

Gjatë kontrolleve fizike dhe atyre në banesat e të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi 126 doza të dyshuara narkotike, nga të cilat 113 doza kanabis dhe 13 doza kokainë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan municion luftarak dhe dy telefona celularë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të arrestuarit shisnin lëndë narkotike në qytetin e Laçit, kryesisht pranë perimetrit të sigurisë së shkollave.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.