Skip to content

Tritol makinës në Elbasan! Arrestohet 17-vjeçari që dyshohet se vendosi lëndën plasëse, në kërkim bashkëpunëtorët

tritol makines

ELBASAN – Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi dyshohet se është përfshirë në shpërthimin me lëndë plasëse të automjetit në pronësi të shtetases A. D., ngjarje e ndodhur më 5 nëntor 2026, në lagjen “28 Nëntori”.

Në kuadër të operacionit të koduar “Porosia”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin B. H., i cili ishte shpallur në kërkim për këtë ngjarje.

Sipas Policisë, 17-vjeçari dyshohet se ka qenë bashkautor në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjetin e shtetases A. D.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për përcaktimin e rolit dhe përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Operacioni vijon nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.