Skip to content

Kush janë në të vërtetë hakerat?

1794502387 GettyImages 2149384706

Kërcënimet për bomba në shkolla dhe sabotimi i frigoriferëve në supermarketet e disa vendeve evropiane kanë shkaktuar frikë dhe pasiguri në opinionin publik.

Për shkak të ngjashmërisë së pasojave, këto incidente shpesh janë paraqitur si vepra të të njëjtëve autorë.

Por, në të vërtetë, dihet shumë pak për personat që qëndrojnë pas tyre dhe lidhja mes këtyre ngjarjeve mund të jetë çorientuese.

Po aq e gabuar është përdorimi i fjalës “haker” për çdo kërcënim apo sabotim që lidhet me teknologjinë.

Në rastin e mesazheve kërcënuese drejtuar shkollave, për shembull, nuk kërkoheshin aftësi të veçanta informatike.

Sipas të dhënave të deritanishme, autorët nuk kishin depërtuar në ndonjë sistem kompjuterik, por kishin përdorur një llogari të një ish-studenteje nga Tajvani, të blerë në rrjetin e errët, si dhe adresat publike të postës elektronike të publikuara nga Ministria e Arsimit.

Termi “haker” është përdorur fillimisht në universitetet amerikane të viteve 1960 dhe 1970 për të përshkruar persona me aftësi të jashtëzakonshme kompjuterike. Edhe sot, ai nuk ka domosdoshmërisht kuptim negativ.

Hakerat mund të zbulojnë dobësitë e sistemeve dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e tyre. Për ata që depërtojnë në rrjete pa autorizim për të vjedhur ose shkatërruar të dhëna, termat më të saktë janë kriminelë kibernetikë ose sulmues informatikë.

Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA), gjatë vitit 2025 u regjistruan 8.257 incidente kibernetike që prekën vende dhe organizata evropiane.

Rreth 5.,3 për qind kishin motive ideologjike, 29.3 për qind synonin përfitime financiare, ndërsa të tjerat lidheshin kryesisht me spiunazhin shtetëror.

Grupet e hakerave pretenduan se kishin kryer 4.709 sulme, pothuajse gjysmën e tyre kundër institucioneve publike.

Një kategori e rëndësishme janë hacktivistët, pra hakerat që veprojnë për motive politike ose ideologjike. Një nga grupet më të njohura është Anonymous, i cili për vite me radhë ka sulmuar qeveri dhe kompani të mëdha.

Pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë më 2014 dhe sidomos pas pushtimit të vitit 2022, kjo botë u nda gjithnjë e më shumë në kampe politike, me grupe që zgjidhnin objektivat sipas aleancave ndërkombëtare.

Sulmi më i zakonshëm i këtyre grupeve është DDoS: mijëra pajisje dërgojnë njëkohësisht kërkesa drejt një faqeje interneti, duke mbingarkuar serverin dhe duke e bërë atë të paarritshëm.

Kjo metodë nuk mundëson domosdoshmërisht vjedhjen e të dhënave, por mund të paralizojë përkohësisht shërbime publike, banka apo institucione.

Një tjetër fenomen është faketivizmi: shërbimet sekrete krijojnë ose përdorin grupe që paraqiten si aktivistë të pavarur, për të marrë përgjegjësinë për sulme të organizuara nga shtetet. Kështu, qeveritë mund të mohojnë përfshirjen e tyre dhe të shmangin përgjegjësinë politike.

Një nga grupet më aktive të viteve të fundit është NoName057(16), i konsideruar pro-rus. Ai ka pretenduar sulme kundër institucioneve, bankave dhe kompanive të transportit në disa vende evropiane, përfshirë Italinë.

ENISA vlerëson se vetëm një e katërta e sulmeve të pretenduara prej tij janë konfirmuar. Grupi është përmendur edhe në lidhje me sabotimin e frigoriferëve në supermarkete, megjithëse përgjegjësia e tij nuk është vërtetuar.

Në krahun ukrainas vepron IT Army of Ukraine, i krijuar në ditët e para të pushtimit rus më 2022, pas një thirrjeje të qeverisë së Kievit drejtuar personave me njohuri informatike. Grupi organizon kryesisht sulme kundër bankave, kompanive telefonike dhe sistemeve të pagesave ruse.

Një tjetër front përbëhet nga grupet që mbështesin palestinezët dhe kundërshtojnë Izraelin. Por edhe këtu ka organizata që paraqiten si aktiviste, ndërkohë që dyshohet se kontrollohen nga shtete.

Rasti më i njohur është CyberAv3ngers, i lidhur me Gardën Revolucionare iraniane, që në vitin 2023 sulmoi pajisje industriale izraelite të përdorura edhe në impiantet e furnizimit me ujë.

Përtej aktivistëve, ekzistojnë grupe shumë më të sofistikuara, të njohura si APT, të lidhura zakonisht me shërbimet sekrete të shteteve.

Ato depërtojnë në sistemet e ministrive, kompanive të mbrojtjes dhe infrastrukturës kritike, ku mund të qëndrojnë të fshehura për muaj ose vite, duke mbledhur informacione ose duke përgatitur sabotime. Kina, Rusia dhe Irani kanë grupe të tilla.

Një shembull është Volt Typhoon, grupi kinez që, sipas autoriteteve amerikane, ka qëndruar për vite brenda sistemeve të infrastrukturës energjetike, ujore dhe të telekomunikacionit në SHBA, me synimin për të përgatitur sabotime në rast konflikti.

Megjithatë, dëmet më të mëdha ekonomike shkaktohen shpesh nga grupet që veprojnë për para. Ato përdorin programe të dëmshme të njohura si ransomware, të cilat bllokojnë kompjuterët dhe kodojnë të dhënat e viktimave, duke kërkuar pagesë për rikthimin e tyre.

Sot, këto grupe zakonisht i vjedhin të dhënat përpara se t’i bllokojnë dhe kërcënojnë se do t’i publikojnë nëse nuk paguhet shpërblimi.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, kompania e sigurisë kibernetike Cyble regjistroi 3.837 sulme të tilla në mbarë botën. Ndër grupet më aktive janë Qilin, Akira, DragonForce dhe Medusa.

Inteligjenca artificiale ua ka lehtësuar punën, duke i ndihmuar të analizojnë të dhënat e vjedhura, të përcaktojnë vlerën e tyre dhe të hartojnë kërcënime më bindëse.

Një problem tjetër është se shumë prej këtyre grupeve nuk veprojnë të izoluara. Në vitin 2024, organizata të ndryshme pro-ruse dhe pro-palestineze krijuan aleancën Holy League, ku u bashkuan më shumë se 80 grupe.

Objektivi i përbashkët ishte goditja e vendeve perëndimore që mbështesin Ukrainën dhe Izraelin. Në këtë botë, kufijtë mes aktivizmit politik, kriminalitetit dhe spiunazhit shtetëror po bëhen gjithnjë e më të paqartë.

Disa grupe përdorin pretendimet politike për të fshehur aktivitetet kriminale, të tjera shërbejnë si instrumente të qeverive, ndërsa disa shesin sulme informatike kundrejt pagesës.

Prandaj, jo çdo sulm i pretenduar është i vërtetë dhe jo çdo grup që shpallet si përgjegjës vepron për motivet që deklaron. Pas imazhit të një hakeri të vetëm përballë kompjuterit mund të fshihen organizata ndërkombëtare, interesa ekonomike dhe shërbime sekrete shtetërore.

Pikërisht kjo e bën gjithnjë e më të vështirë identifikimin e autorëve dhe kuptimin e rrezikut real që paraqesin sulmet kibernetike. //