Skip to content

“Jepen si karamele”, studiuesi Malaj tregon rreziqet që vijnë nga abuzimi me barnat: Fëmija me temperaturë? Ja sa duhet të presim për antibiotik

11 8

Përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve dhe rreziku i krijimit të rezistencës ndaj tyre mbeten shqetësime të rëndësishme për shëndetin publik. Studiuesi Admir Malaj ka ngritur alarmin për kulturën e përdorimit të barnave në Shqipëri, duke theksuar nevojën për më shumë kujdes dhe ndërgjegjësim, veçanërisht te prindërit që u japin antibiotikë fëmijëve pa përcaktuar më parë shkakun e temperaturës.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatore Ola Bruko, Malaj shpjegoi se temperatura te fëmijët nuk duhet të shoqërohet automatikisht me përdorimin e antibiotikëve. Sipas tij, është e rëndësishme që fillimisht të kryhen ekzaminimet dhe analizat e nevojshme për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një infeksion bakterial dhe nëse nevojitet trajtim me antibiotikë.

Studiuesi u ndal edhe te kultura e përdorimit të barnave në Shqipëri, duke theksuar se antibiotikët kanë një akses relativisht të lehtë, ndërsa përdorimi i tyre duhet të shoqërohet me njohuri dhe kujdes për llojin e medikamentit që merret. Ai solli në vëmendje edhe të dhënat e analizave mbi përdorimin e antibiotikëve, duke theksuar se në vitin 2011, në mesin e 10 antibiotikëve më të përdorur në Shqipëri, 34% i përkisnin klasave të forta. Malaj theksoi se për të kuptuar fenomenin e rezistencës ndaj antibiotikëve, duhet parë mënyra se si funksionojnë bakteret dhe jo vetëm mënyra se si njerëzit i përdorin barnat.

“Shqipëria ka një kulturë për përdorimin e antibiotikut. Sidomos te prindërit e mi. Te moshat e mëdha është kujdes për sëmundjet e mbivendosura. Shqipëria, duke e pasur këtë edukatë të përgjithshme në përdorimin e barnave, renditet ndër vendet që ka përdorim të mirë të antibiotikëve, jo të lartë, madje dhe më të ulët sesa vendet fqinje. Ne i përdorim, por jo si disa vende të tjera të BE-së. Por duhet të kuptojmë se çfarë antibiotiku përdorim. Antibiotikët në Shqipëri kanë akses të mirë. Ndaj dhe nuk trajtohet si çështje. Nga analizat tona kemi parë se në 2011, në 10 antibiotikët më të përdorur hynin te klasat e forta, 34%. Ki kujdes! Antibiotikët e klasave të forta përdoren në Shqipëri. Për të kuptuar se pse lind antibiotikorezistenca, duhet të kuptojnë se ne jetojmë në botën e tyre dhe jo në botën tonë.”, tha ai.