Skip to content

“Besoj në pafajësinë e Veliajt! Paraburgimi, masë ekstreme”, Muharremi: S’mund t’i biesh me gurë forcës politike! Kritikat t’i diskutojmë brenda forumeve, jo të përfshijmë çështjet personale

1111111

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia Socialiste, Alfred Muharremi, ka komentuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 për çështjen e Erion Veliajt dhe përplasjet e fundit brenda PS-së. Muharremi u shpreh se beson në pafajësinë e kryebashkiakut, ndërsa e cilësoi paraburgimin si masë ekstreme dhe jo proporcionale.

Sipas tij, disiplina partiake dhe diskutimi i shqetësimeve brenda forumeve janë thelbësore, ndërsa kritikët nuk duhet t’i japin argumente opozitës përmes daljeve publike pa diskutuar më parë brenda strukturave.

Muharremi theksoi se, pavarësisht kritikave që mund të ketë ndaj partisë, nuk mund të bëjë komunikime publike pa i diskutuar më parë me strukturat, duke argumentuar se PS ka qenë një formacion politik që ka ofruar zgjidhje dhe u ka dhënë mundësi anëtarëve të saj të promovohen në funksione të larta.

Për çështjen e Veliajt, ai tha se kryebashkiaku meriton respekt dhe dinjitet në trajtimin e tij në burg, ashtu si çdo qytetar tjetër, ndërsa shtoi se nuk është përgjegjës për problematikat e administrimit të burgjeve.

Alfred Muharremi në “Minuta e Parë”, News24:

“Unë jam anëtar në PS dhe jam pikë uji në oqean. Si anëtar kam disa të drejta dhe detyrime. Duhet të memorizojmë një paralelizëm në kohë. Përplasjet në PS në vitin 2004 mes eksponentëve në PS bënë të mundur që të kishte një fraksion që doli, që ishte LSI. Nga kjo përplasje, pra tërheqja e disa deputetëve dhe eksponentëve politikë, u krijua LSI dhe arriti që PS të humbiste edhe qeverisjen.

Ajo që PS ka në gjenezë të organizimit të saj, e ka në kulturën e saj, është disiplina. Disiplina është që aty, fytyra jonë, angazhimi ynë vullnetar, është të përcjellim sa më shumë kërkesat dhe ankesat që na vijnë nga qytetarët, që ato t’i përcjellim dhe t’i kthejmë në akte politike, që të bëhet e mundur që ky vend të qeveriset.

Nëse ky vend ka hapa galopantë në lidhje me drejtësinë, ekonominë, integrimin, infrastrukturën urbane, është sepse disiplina e çdo socialisti ka qenë shërbimi ndaj qytetarëve. Unë do të jem gjithnjë për këtë. Nëse ka një shtyllë që është shërbimi ndaj qytetarëve, nuk mund t’i biesh me gurë një force politike, e cila ka bërë të mundur që përmes saj dhe strukturave të saj je sot i promovuar, ke pasur mundësinë të kesh funksione të larta në funksion të Partisë Socialiste.

Ajo që më intereson me çështjen e zotit Veliaj. Kam qenë ndër të parët që e kam thënë, unë besoj për zotin Veliaj në pafajësinë e tij. Besoj se masa jo proporcionale, kur edhe Gjykata Kushtetuese e ka lënë në detyrë, paraburgimi i tij është masë ekstreme. Trajtimi i tij në burg, jo vetëm i Veliajt, por çdo të paraburgosuri, meriton respekt e dinjitet, sepse është qytetar i këtij vendi.

Nëse ka cedim të organizimit të funksionimit të burgjeve, nuk jam personi përgjegjës apo titullar përkatës për këtë. Përballja me drejtësinë ose kur nuk shpreh disiplinën e partisë dhe çështjet personale vendosen sipër… çështjet personale nuk mund të bëhen pjesë e diskutimit të forumeve socialiste. Ne jemi për të përcjellë shqetësimet e komunitetit.

Pyetje: Kush ka goditur me gurë PS?

Nëse kam sot kritika dhe kam kritika pa fund, nuk bëj dot asnjë komunikim publik kur nuk e diskutoj me formacionin politik që ka treguar se është formacion i hapur që jep zgjidhje. Nëse marr një problem të caktuar sot dhe e diskutoj në media pa e diskutuar me forumin, i jap ushqim këtyre (PD). Vendimmarrja nuk është marrë pa shkak, është marrë me një shkak.”