Skip to content

“Vdekja ju pret”/ Mbi 450 shkolla në Gjermani marrin kërcënime për bomba, alarm edhe në Danimarkë

000 9WY9HK

Më shumë se 450 shkolla në Gjermani janë vënë në alarm këtë të hënë, pasi kanë marrë email-e kërcënuese për vendosjen e bombave. Mesazhe të ngjashme janë raportuar edhe në institucione arsimore në Danimarkë, por autoritetet në të dyja vendet i kanë cilësuar kërcënimet si të pabazuara.

Sipas mediave gjermane, policia e Freiburgut bëri të ditur se email-et janë dërguar në më shumë se 450 institucione arsimore në të gjithë vendin. Mesazhet kishin të njëjtën përmbajtje dhe mbanin titullin “Vdekja ju pret”.

Deri më tani nuk dihet identiteti i personit apo personave që qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa autoritetet gjermane vlerësojnë, bazuar në informacionet paraprake, se kërcënimet nuk janë të besueshme.

Edhe në Danimarkë policia ka marrë disa sinjalizime për vendosjen e bombave në shkolla në të gjithë vendin. Policia e Kopenhagës konfirmoi se mesazhet janë dërguar përmes email-it, por i cilësoi ato si të pabazuara.

“Kërcënimet kishin të bënin me institucione arsimore në të gjithë vendin dhe vlerësojmë se janë të pabazuara”, deklaroi policia daneze.

Autoritetet kanë bërë të ditur se janë në kontakt me komunitetet dhe drejtuesit e shkollave për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur përhapjen e pasigurisë. Ndërkohë, policia në Jutlandën e Veriut theksoi se aktualisht nuk ka arsye për evakuimin e shkollave apo për marrjen e masave të posaçme të sigurisë.

Këto incidente vijnë në një kohë kur disa vende evropiane janë përballur gjatë javëve të fundit me kërcënime të rreme për bomba në shkolla dhe avionë, si dhe me sulme kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete.

Ngjarjet dyshohet se mund të jenë pjesë e një fushate të luftës hibride, megjithëse deri më tani nuk ka prova që konfirmojnë këtë pistë.

Javën e kaluar, më shumë se 10 shkolla në Spanjë u evakuuan pas një kërcënimi për bombë, ndërsa në fillim të nëntorit masa të ngjashme u morën edhe në disa shkolla në Itali, pas marrjes së mesazheve kërcënuese.