Skip to content

“Shqipëria si shtet policor, ndaj të rinjtë janë në shesh”, Tabaku shpërthen ndaj maxhorancës: Jeni në grahmat e fundit

tabaku 2

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po sillet si një regjim autoritar, duke iu referuar protestave të qytetarëve, akteve normative dhe masave ndaj mediave që transmetojnë tubimet. Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku deklaroi se protestat janë një shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve dhe se kanë zgjuar veçanërisht rininë shqiptare. Sipas saj, qytetarët po kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet më fort, ndërsa qeveria po përgjigjet me kufizime dhe me zgjerim të kompetencave të Policisë.

“Shqiptarët po protestojnë që zëri i tyre të jetë më i fortë. Kanë grisur fasadën e asaj qeverisjeje që gjendet në raporte, por nuk gjendet në jetën e tyre. Protesta ka zgjuar atë që duhet të zgjonte, rininë shqiptare. Me aktet normative silleni sikur jemi një shtet policor. Por nëse jemi shtet policor, na e thoni. Kompetencat që i jepni Policisë e çojnë vendin në vitin 1991. Me këto sjellje, Shqipëria është në autokraci. Regjimi i ndan pushtetit të Enver Hoxhës. Sot të rinjtë po kërkojnë Europën”, deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD-së u ndal edhe te Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), duke e cilësuar si një tjetër element shqetësues ndërhyrjen ndaj televizioneve që transmetojnë protestat dhe zërin e qytetarëve.

“Qershia mbi tortë ishte edhe AMA, që gjobit televizionet që transmetojnë qytetarët që shprehin mendimet e tyre”, u shpreh ajo. Në përfundim, Tabaku deklaroi se qeverisja 14-vjeçare ka lodhur qytetarët, të cilët, sipas saj, tashmë po e shprehin pakënaqësinë e tyre përmes protestave në rrugë. “Jeni në grahmat e fundit të një qeverisjeje 14-vjeçare që ka lodhur qytetarët, të cilët tashmë gjenden në rrugë”, përfundoi deputetja demokrate.