Skip to content

“Krimi i organizuar ka depërtuar në strukturat e pushtetit”, Belind Këlliçi-Marta Kos: Mirë se erdhët në Tiranë, në zemrën e narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës

Belind Kellici1

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shfrytëzuar praninë e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, për të ngritur shqetësimet mbi lidhjet e krimit të organizuar me politikën, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve në Shqipëri.

“Mirë se erdhët në Tiranë, në zemrën e narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës”, iu drejtua Këlliçi komisioneres europiane, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës se e ka shndërruar Shqipërinë në një shtet ku krimi i organizuar ka depërtuar në strukturat e pushtetit.

Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat renditi një sërë raportesh ndërkombëtare dhe deklaratash të zyrtarëve europianë dhe amerikanë, të cilat ngrenë shqetësime për lidhjet e krimit të organizuar me politikën, pastrimin e parave, korrupsionin dhe standardin e zgjedhjeve në vend.

Këlliçi vuri në dukje kontrastin mes avancimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe problematikave që evidentohen në raportet ndërkombëtare për funksionimin e demokracisë shqiptare.

Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe protestat që vijojnë prej 180 ditësh kundër qeverisë, duke theksuar se qytetarët shqiptarë po kundërshtojnë korrupsionin dhe atë që ai e cilësoi si kapje të shtetit.

Deklaratën e komisioneres Kos, e cila gjatë mbledhjes e lidhi fenomenin e korrupsionit edhe me mentalitetin e shoqërisë shqiptare, Këlliçi e kundërshtoi duke argumentuar se përgjegjësia për korrupsionin qeveritar nuk mund t’u faturohet qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, janë pikërisht qytetarët ata që prej muajsh po protestojnë kundër korrupsionit, ndërsa përgjegjësinë politike ai ia atribuoi kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut.

Deputeti demokrat theksoi se shqiptarët e duan anëtarësimin në Bashkimin Europian, por si qytetarë të një demokracie funksionale, me institucione të pavarura, zgjedhje të lira dhe sundim të ligjit, dhe jo si pjesë e një fasade europiane të ngritur mbi një shtet që, sipas tij, kontrollohet nga një parti e vetme.