Skip to content

“107 mijë vullnete për ta çuar vendin në referendum”, Lapaj dorëzon firmat në KQZ për shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe investimeve strategjike: Dëshmi e hajdutërisë së madhe të atdheut

lapajjj

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka depozituar këtë të premte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi 107 mijë firma në mbështetje të nismës për zhvillimin e një referendumi për shfuqizimin e ligjit “Paketa e Maleve” dhe atij për “Investimet Strategjike”. Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, i shoqëruar nga grupi nismëtar, kërkoi shfuqizimin e dy ligjeve, të cilat i cilësoi si abuzive dhe që, sipas tij, cenojnë interesat e qytetarëve dhe të vendit.

Lapaj deklaroi se 107 mijë firmat përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve për të vendosur drejtpërdrejt përmes referendumit, duke e cilësuar këtë nismë si një moment historik për Shqipërinë. Ai kritikoi gjithashtu klasën politike, duke pretenduar se deputetët janë kthyer në shërbëtorë të oligarkisë dhe nuk përfaqësojnë më interesat e qytetarëve.

“107 mijë vullnete për ta çuar vendin në referendum, për të shfuqizuar Paketën e Maleve dhe Investimet Strategjike. Këto 107 mijë vullnete janë dëshmi e qartë se qytetarët shqiptarë duan që për herë të parë në historinë e Shqipërisë në tranzicion të mbahet një referendum, ku ata të ushtrojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të vendosin vetë për veten e vet dhe për vendin tonë.

Këto dy ligje janë dëshmi e qartë e hajdutërisë së madhe të atdheut nga klasa që e sundon dhe tashmë qytetarët kanë shprehur vullnetin, të cilin ne po e depozitojmë sot në KQZ për të shfuqizuar këto dy ligje. Dua të theksoj se referendumi është një akt shumë i lartë demokratik, është instrumenti i demokracisë së drejtpërdrejtë, ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre jo më përmes të zgjedhurve, të cilët nga sa duket janë kthyer në kartona të kryetarëve dhe në shërbëtorë të oligarkisë, por drejtpërdrejt, duke vendosur vetë për fatin tonë, pra për fatin e çdo qytetari. Kjo është një ditë historike për Shqipërinë”, tha ai.