Kreu i Sindikatës së Studentëve, Sander Kovaçi, ka komentuar krijimin e partisë së re “Të Bashkuar për Shqipërinë”, e cila u prezantua një ditë më parë si një nismë e studentëve.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me Ola Brukon, Kovaçi u shpreh se kjo parti nuk ka lidhje me studentët dhe se nuk është një produkt i protestave në shesh. Sipas tij, për të krijuar një parti studentore duhet të ketë një organizim më të gjerë, me të paktën 500 studentë. Ai theksoi se në këtë nismë mund të ketë individë që kanë qenë pjesë e protestave, por kjo nuk do të thotë se partia është prodhuar nga lëvizja studentore.
Kovaçi tha gjithashtu se nuk ishte ftuar në prezantimin e partisë, ndërsa bëri të ditur se në aktivitet kishin marrë pjesë disa pedagogë. Ai vlerësoi se Lëvizja Studentore ka një bërthamë më të fortë organizimi, por pranoi se shumica e fakulteteve vijojnë të jenë të paorganizuara. Sipas tij, kjo lëvizje synon të krijojë një strukturë të qëndrueshme studentore. Në fund, Kovaçi hodhi dyshime mbi qëllimin e krijimit të partisë së re, duke u shprehur se, sipas tij, ajo u krijua “për hapje oreksi”.
“Ta krijosh një nismë studentore, duhet të kesh të paktën 500 studentë. Ajo në fakt nuk ka lidhje me studentët, pasi është parti. Nuk është parti studentore, nuk e prodhoi sheshi. Mund të ketë persona nga sheshi, por nuk e ka prodhuar ai.
Nuk jam ftuar, disa pedagogë kanë qenë. Nuk mund të jetë një bërthamë e fortë, një parti studentore, pasi duhet të ishte më e gjerë. Lëvizja Studentore ka një bërthamë më të fortë, por nuk duhet të jenë më pak se 500 studentë që të krijohet si parti. Lëvizja studentore do të jetë një bërthamë e fortë. Shumica e fakulteteve janë të paorganizuara. Kjo është alternativë pozitive. Mendoj se kjo parti u krijua për hapje oreksi.”, tha ai.
