Nga data 1 qershor e në vazhdim nuk kanë të ndalur lëkundjet e tërmetit në rajonin juglindor.
Tronditje relativisht të forta janë ndier edhe rreth orës 03.35 duke gdhirë dita e shtunë e datës 6 korrik.
Ndërkaq, vazhdon puna nga ana e bashkisë për riparimin e oxhaqeve të dëmtuar si pasojë e tërmeteve në Korçë.
Pas verifikimeve në terren punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Bashkia Korçë janë duke punuar për të rikthyer në funksion çdo oxhak të dëmtuar duke garantuar mundësinë e ngrohjes normale para stinës së vjeshtës.
Pas tërmetit të 1 qershorit janë evidentuar rreth 200 banesa të dëmtuara, nga të cilat afro 20 thuajse të rrafshuara.
Pasi u krye preventivi dhe u përgatit dosja për çdo banesë të goditur nga tërmeti, pritet që të ndërhyet fillimisht te ato banesa dhe për ato familje ku ka nevoja më emergjente.
