Kryeministri Edi Rama, në fjalën hapëse të Asamblesë së Partisë Socialiste, deklaroi se “30 Qershorin e fituan qytetarët edhe për ne, ndërsa gjithë çka vjen pas 30 Qershorit duhet ta fitojmë ne për qytetarët”.
“Shqipëria u kërcënua, u godit, u lëkund, por nuk u rrëzua falë qëndrimit të SHBA dhe BE në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të parimeve më themelore të demokracisë”, theksoi Rama.
Sipas tij, “Shqipëria mbetet me një plagë të hapur dhe në nevojë për shumë kujdes politik dhe për pasion patriotik në qeverisjen e saj në të gjitha nivelet”.
“Barra e kurimit të plagës që hapi gjysma e parë e vitit është e gjitha e jona për momentin. Duhet të investohemi shumë më shumë në shërbim të qytetarëve, në nivel qendror dhe vendor.
Nuk fituam një mandat për bashkitë e 4 viteve të ardhshme. Por, Shqipëria fitoi luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve. Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh dhe bojkot zgjedhjesh.
Ata që ndërmorën këtë aventurë e pësuan jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët që vijnë pas”, theksoi kryeministri.
Edi Rama paralajmëroi edhe anëtarët e partisë: “Kush nuk i përgjigjet ritmit të 30 Qershorit, nuk do të jetë më në projektin e vitit 2021. Kush nuk ndjek ritmin, do të dalë jashtë kësaj familjeje”.