Skip to content

“Pse u shite miku im”, Ndrenika i sëmurë i përgjigjet Radojës: Kam marrë para, nja 200 mijë euro

 

Aktori i njohur Guljelm Radoja gjatë fjalës së tij para Teatrit Kombëtar ditën e djeshme ka përmendur një koleg tijin. Ai iu drejtua aktorit Robert Ndrenika duke e pyetur se përse e bëri kthesën duke pranuar shembjen e Teatrit.

Deklarata e aktorit:

Një nga kolegët e mi i tha dikujt se “unë shkela mbi dinjitetin tim”. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë: Ç’bëra dje?! Sa dinjitoz qeshë dje. Pse isha qesharak dje, dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin që shkele mbi dinjitetin?”.Në lidhje me këtë deklaratë të Radojës, aktori i mirënjohur Robert Ndrenika ka reaguar me ironi.

Në lidhje me deklaratën e kolegut të tij, gazeta “Panorama” ka kontaktuar mbrëmë aktorin Robert Ndrenika, i cili ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.

Ai tha:

Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën.”Për fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të manipulohet nga politika, ai shprehet:

Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”.Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.

Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit. Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri.

Ndërkohë tek Teatri Kombëtar vijon qëndresa e aktorëve dhe aktivistëve që janë kundër shembjes së godinës. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka nënshkruar një kontratë ditën e djeshme me Partinë Demokratike, për të ruajtur godinën dhe për ta restauruar atë.

Prej dy ditësh aktorët ndodhen në ambientet e Teatrit Kombëtar në mbrojtje të tij.