Skip to content

Zbuloni qytetet me më shumë shofere gra në Shqipëri

Drejtimi i makinës nuk është më atribut vetëm i meshkujve. Tashmë
makina është një mjet i rëndësishëm transporti për të dyja gjinitë. Por a
e dini se në cilin qark u pajisën më shumë gra me leje drejtimi? Dhe
jo, sikurse mund të ju shkojë në mendje shumë prej jush nuk është
Tirana. Madje qarku i Tiranës, renditet i treti në 2018-n për pajisjen e
vajzave me leje drejtimi në 2018-n.

Në vend të parë, për numrin më të lartë të lejeve të drejtimin në
raport me popullsinë renditet qarku i Durrësit. Sipas të dhënave në
2018-n u pajisën me leje drejtimi 22 gra për çdo 1000 banorë gra që
numëron ky qark. Monitor ka përllogaritur numrin e lejeve të drejtimit
të lëshuara për secilin qark duke i kthyer në bazë të krahasueshme për
1000 banore gra.

Kështu në vend të dytë renditet qarku i Lezhës, ku sipas
përllogaritjeve të Monitor për çdo 1000 gra u pajisën me leje drejtimi
19, i ndjekur nga Tirana dhe Shkodra me përkatësisht 17 dhe 16 gra të
pajisur për 1000 banore gra. Në Elbasan në 2018-n u lëshuan 12 leje
drejtimi për 1000 gra.

Më pas Vlora, Berati dhe Kukësi u renditën me përkatësisht 10 leje
drejtimi të dhëna për çdo 1000 mijë gra, të ndjekur nga Dibra me 9 leje
drejtimi.

Në Fier dhe Gjirokastër, u pajisën me leje drejtimi 8  gra për çdo 1000 banorë.

Është për t’u habitur, por në fund të renditjes renditen korçaret. Me
sa duket vajzat e Korçës janë nikoqire shumë të mira, por kur vjen puna
te drejtimi i makinës nuk kanë interes që ta mësojnë.

Në total në të gjithë Shqipërinë në 2018-n janë lëshuar 20,051 leje
drejtimi për gratë, nga 19,444 që u lëshuan një vit më parë. Megjithatë
hendeku midis grave që pajisen me leje drejtimi dhe burrave mbetet shumë
i lartë. Për të njëjtin vit, INSTAT raporton se janë pajisur me leje
drejtimi 48,607 burra në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Megjithatë
numri i burrave që kanë marrë një leje drejtimi ka ardhur në rënie ne
krahasim me një vit më parë kur u pajisën 49,651 burra.

Kjo do të thotë që numri i meshkujve që marrin leje drejtimi është dy herë më i lartë se ai grave. Monitor