Ata që kanë fituar lotarinë gjenden pak hapa larg realizimit të ëndrrës amerikane, por jo ata qytetarë që mashtrojnë dhe abuzojnë me ligjin. Një tjetër shtetas është arestuar nga Policia e Shtetit menjëherë sapo ka lënë ambientet e Ambasadës Amerikane.
Agron Selmani, 41 vjeç, iu hodhën prangat nga forcat ‘Shqiponja’
menjëherë sapo Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS zbuloi një tjetër rast
falsifikimi e mashtrimi me vizat, që konsiderohet një krim i rëndë në
SHBA, dhe që parashikohet gjithashtu si vepër penale edhe në Kodin Penal
shqiptar.
Shërbimi Diplomatik i Sigurisë që është degë policore e Departamentit
Amerikan dhe që është përgjegjës për hetimin e të gjitha aplikimeve për
pasaporta e viza, ka njoftuar policinë shqiptare për mashtrimin e
radhës me viza, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të policisë dhe
prokurorisë.
Agron Selmani, siç thonë burime të besueshme të policisë, ishte
fitues i lotarisë amerikane. Por mes dokumentave që ka dorëzuar në
ambasadë përpara se të intervistohej, ai ka depozituar edhe të dhëna të
rreme, siç ishte një diplomë që e paraqiste 41 vjeçarin si të diplomuar
në shkollën e mesme “Jordan Misja” në Shkodër. Nga verifikimet që
ambasada kryen për këdo përmes DSS, është zbuluar se në fakt ai nuk
kishte qenë asnjëherë i regjistruar në këtë shkollë dhe se diploma ishte
false. Siç thonë burimet të Top Channel, menjëherë sapo fituesi i
lotarisë është paraqitur për intervistën është kërkuar ndërhyrja e
Policisë së Tiranës.
Agron Selmani akuzohet për falsifikim dokumentash dhe mashtrim me vizat.
Pak ditë më parë Top Channel raportoi një tjetër rast, të një qytetari nga Dibra i cili rrezikon dënimin deri në tre vjet burgim pasi dorëzoi një diplomë false në Ambasadën Amerikane. Për të njëjtin fakt nën akuzën e shpërdorimit të detyrës është edhe ish-drejtori i shkollës./topchannel/
