Janë shfaqur përsëri persekutimet sistematike të ushtrisë së Mianmarit, e cila shkaktoi vdekjen e mijëra muslimanëve të Arakanit dhe largimin e qindra mijëra të tjerëve nga tokat e tyre.
Sipas raportit të Human Rights Watch (HRW) “Masakra në bregun lumor: Krimet kundër njerëzimit të kryera nga ana e ushtrisë së Mianmarit në Tula Tolo“, i përpiluar nga intervista të zhvilluara me 218 muslimanë të Arakanit të arratisur nga rajoni, vihet në dukje masakra e kryer nga ushtria e Mianmarit.
Fshatarët kanë treguar se ushtarët e Mianmarit, të cilët kanë zhvilluar bastisje në fshatin Tula Toli, i kanë çuar në bregun e lumit, i kanë ndarë gratë dhe fëmijët, ndërsa meshkujt i kanë masakruar dhe i kanë hedhur masivisht në gropa, ku i kanë djegur, ndërkohë që ushtarët në mënyrë të përsëritur kanë përdhunuar gratë dhe fëmijët, kurse disa fëmijë i kanë ndarë nga nënat e tyre i kanë hedhur në zjarr.
Dëshmitarët më tej rrëfejnë se ushtarët më pas kanë djegur fshatin, ndërsa gratë të cilat i kanë përdhunuar i kanë lënë në shtëpitë të cilat i kanë djegur.
– “Vajzën time e morën dhe e hodhën të gjallë në zjarr”
Një nga arakanasit e intervistuar, 20-vjeçarja Hasina Begum, thekson se është munduar ta fshehë vajzën e saj njëvjeçare nën shaminë e saj, por ushtarët e kanë vërejtur atë.
“Vajzën time e morën dhe e hodhën të gjallë në zjarr. Çfarë mund të bëja? Në duar mbanin thika, ndërsa pushkat në shpatulla”, shprehet Begum.
Ndërkaq, Shefika, e cila ka arritur të ikë nga njëra prej shtëpive të djegura, tmerrin e përjetuar e rrëfen kështu: “Kur u zgjova, isha në një pellg gjaku. U mundova t’i zgjoj njerëzit përreth, por nuk reaguan. E theva murin dhe ika. Të gjitha shtëpitë përreth ishin duke u djegur. Nga disa shtëpi vinin zërat e grave që bërtisnin. Ata nuk arritën të ikin nga flaka”.
20-vjeçarja Raxhuma Begum, viktimë tjetër e persekutimit të ushtarëve të Mianmarit, thotë: “Së pari fëmijën tim e morën nga unë dhe e hodhën poshtë, para syve të mi ia prenë fytin. Pastaj ushtarët na përdhunuan. Arrita të ikë nga shtëpia por askush tjetër nuk arriti. Të gjithë humbën jetën atje duke u djegur”.
Në raport, drejtori i HRW-së për Azinë, Brad Adams, ka ndarë opinionin e tij, duke theksuar se sulmet e ushtrisë në Tula Toli nuk janë vetëm të egra, por edhe sistematike në të njëjtën kohë, shkruan aa.
“Ushtarët vranë qindra muslimanë të Arakanit, ndërsa përdhunuan qindra të tjerë. Kjo mund të shihet vetëm nëse është e planifikuar më parë”, thekson Adams.
– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri më tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur.
Organizata Mjekët pa Kufij (MSF), në një deklaratë të bërë javën e kaluar njoftoi se që nga 25 gushti janë vrarë gjashtë mijë e 700 muslimanë. Mijëra muslimanë të Arakanit ende mundohen që të largohen nga rajoni, ndërsa mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo lumenjve.
Supozohet se rreth dy milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re