Ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj reagon pas lajmeve të
publikuara në media, se ka harxhuar 700 euro për një natë në hotele
luksoze.
Gjonaj shprehet se nga dita e parë e punës dhe deri më sot, ka
vepruar në çdo rast konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij.
‘Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të
arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është
vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është
fjetje për dy net’, shkruan Gjonaj mes të tjerash.
Reagimi i plotë:
E ndjej për detyrë që të bëj një sqarim publik rreth atyre çfarë janë dhënë nga disa media për mua këto 24 orët e fundit.
Më lejoni që në këtë reagim publik timin, të shpreh para së gjithash
se personalisht unë dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë, kemi qenë
tejet transparent në respekt të të drejtës së medias për t’i ofruar
informacionin e kërkuar, ashtu siç është trajtuar çdo kërkesë e çdo
qytetari në respekt të transparencës për çdo veprim financiar të
Ministrisë së Drejtësisë.
E deklaroj me përgjegjësi të plotë, ligjore dhe morale, se në
funksionin tim nga dita e parë e punës dhe deri më sot, personalisht kam
vepruar në çdo rast konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij. Ftoj
cilëndo media dhe gazetar që të investigojë gjithë punën time në
funksionin e Ministres së Drejtësisë, përfshi dhe menaxhimin e burimeve
financiare duke i garantuar që ashtu siç i kam vënë në dispozicion, do
të vazhdoj t’i ofroj me maksimumin e transparencës çdo informacion
konform ligjit.
Besoj se më të njëjtën transparencë që Ministria e Drejtësisë ka
vepruar duke i ofruar të dhënat e kërkuara, të njëjtën transparencë dhe
profesionalizëm do të duhej të kishte dëshmuar edhe media për të kryer
verifikimet e duhura dhe për t’i paraqitur ato me vërtetësi jashtë
interpretimeve dashakeqe dhe spekulative.
Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të
arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është
vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është
fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë
vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë
delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e
rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet
përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo
të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar
që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për
shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës
së diktuar nga pala pritëse.
Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë
vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare
e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e
punës.
Ashtu siç do të verifikonte që si ministre kam kryer vizitat zyrtare
brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të
tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj. Askush nuk e
publikoi këtë për t’ju treguar shqiptarëve të vërtetën siç është dhe jo
siç duan t’ia imponojnë. Në këtë pikë, portali që mori përsipër ta bënte
këtë “transparencë” do duhej të publikonte dhe të analizonte edhe
informacionin që i është dhënë edhe për udhëtime pune të tjera.
Nëse media do të verifikonte procedurat dhe dokumentacionin, do të
konstatonte lehtësisht që procedurat për shërbimet e udhëtimit në bazë
të VKM Nr. 914 datë 29.12.2014 “Për miratim të rregullave për prokurimin
publik”, të ndryshuar, prokurohen publikisht nëpërmjet sistemit të
elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik.
Media dhe kushdo, e kupton mjaft mirë që në asnjë rast nuk është një
proces me të cilin ministri merret personalisht pasi është detyrë e
stafit administrativ apo institucioneve përgjegjëse. Gjithsesi kjo nuk
më largon mua nga përgjegjësia për të verifikuar zbatimin e ligjshmërisë
prej tyre në procedurat e prokurimit dhe mirëadministrimit të burimeve
financiare në tërësi.
Duke mbajtur në konsideratë ndjeshmërinë që krijoi në publik ky lajm
kam nisur një proces verifikimi dhe auditimi të brendshëm për të gjitha
procedurat e kryera nga stafi i Ministrisë së drejtësisë nga i cili
rezultoi se çdo procedurë është në zbatim të ligjit dhe akteve
nënligjore në fuqi.
Po gjithashtu këto procedura janë gjetur në përputhje nga KLSH në
raportin e fundit përfundimtar të depozituar në MD më 31.07.2019. Por në
çdo rast, për transparencë do t’i kërkoj edhe institucioneve të tjera
të pavarura nga Ministria e Drejtësisë të kryejnë kontrollin dhe
inspektimin e nevojshëm për të verifikuar ligjshmërinë e të gjitha
veprimeve dhe procedurave.
Që në krye të këtij misioni të rëndësishëm që jam duke përmbushur, u
përpoqa të llogaris që pjesë e rrugëtimit tim të vështirë do të jenë
edhe kritikat, edhe sulmet, edhe balta, si në aspektin profesional, si
në atë personal apo familjar. Ndihem e keqardhur nga ky sulm i
paprecedent në disa portale mediatike të cilat kanë hedhur baltë dhe
llum pa fund për mua por njëkohësisht kanë nxitur qëllimisht opinionin
me komente, shprehje e aludime fyese dhe poshtëruese, për të më baltosur
personalisht, si zyrtare, si grua, bashkëshorte dhe nënë.
Mundohem të mirëkuptoj të gjitha ndjeshmëritë e krijuara nga
qytetarët e thjeshtë përkundër një lajmi të tillë, për mënyrën se si ai
është shitur në tregun mediatik dhe i siguroj të gjithë ata që besojnë
sadopak tek unë si person dhe zyrtare e shtetit se do ti shkoj deri në
fund këtij procesi.
Fatkeqësisht jetojmë në një realitet ku të duhet të paguash kosto të
rënda nëse je një grua në politikë dhe për më tepër nëse shërben pa
treguar asnjë kompromis me paligjshmërinë. Personalisht kam kohë që po i
vuaj këto kosto, unë dhe familja ime dhe kjo vetëm, se ju kam qëndruar
përballë dhe me kurajo shkelësve të ligjit.
Pavarësisht kësaj, ligjshmëria dhe lufta kundër çdo veprimi korruptiv
janë dhe do të vazhdojnë të jenë kryefjala gjatë gjithë detyrës sime.
