Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismailaj ka kallëzuar në Prokurori për shpërdorim detyre dy ish drejtorët e IEVP Lushnjë Judmir Shurdhi dhe IEVP ‘Jordan Misja’ shtetasi Maksim Hamiti.

Mësohet se shkak për këtë është bërë trajtimi në mënyrë preferencial që këta ata kanë ofruar ndaj disa të burgosurve të rrezikshëm.

Sipas materialit kallëzues që gazeta “” disponon, thuhet se: “është verifikuar dhe konfirmuar që ish drejtuesit Hamiti dhe Shurdhi, në kundërshtim flagrant me aktet ligjore e nënligjore dhe kompromentuar misionin për trajtim të barabartë dhe në përputhje me aktet rregullative të të burgosurve, ka realizuar trajtim preferencial të të burgosurit Emiljano Shullazi apo Lulzim Caka, ndër të tjera edhe takime me të burgosur anëtar të të njëjtit grup të akuzuar, – për rrjedhojë dyshojmë se prej tij janë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Në referencë të kërkesave ligjore të dënuarit trajtohen me dinjitet dhe duke respektuar të drejtat njerëzore të tyre, por gjithsesi për të realizuar qëllimin e ligjit – vuajtjen e dënimit – dhe për të parandaluar çdo rrezik sigurie të burgosurit i nënshtrohen kufizimeve të përcaktuara dhe një protokolli të hekurt për çdo veprim që kryejnë – thuhet ndër të tjera në kallëzim.

“Diskriminimi pozitiv” ndaj të burgosurve të caktuar (të fortëve), nga ana e funksionarëve të caktuar në sistemin e burgjeve, është një fenomen që ndër vite është hasur jo rrallë që konsiston në trajtimin preferencial dhe futjen e sendeve të ndaluara. Kjo veprimtari kryhet në shkelje flagrante me ligjin dhe se kryesisht bëhet për shkaqe përfitimi të paligjshëm.

Në materialin kallëzues për ish drejtorin e Burgut Jordan Misja, arsyetohet se si Emiljano Shullazit i ishin krijuar privilegje duke organizuar takime në palestrën personale të tij me anëtarë të bandës së tij apo me miq të tyre.

Referuar dokumentit, numri i takimeve me “miq” rezultonte përtej asaj që lejon rregullorja.

Gjithë kjo veprimtari është kryer në shkelje e madje edhe mashtrim të strukturave eprore, të cilave ju raportohej me shkrim se janë marrë masat që në referencë të ligjit 108/2018 të parandalohet komunikimi e ndërveprimi mes anëtarëve të bandave

Nga ana tjetër, në materialin kallëzues për ish drejtorin e “IEVP Lushnjë” arsyetohet se si në shkelje brutale të ligjit, drejtori i burgut realizonte takime në zyrën e tij me të dënuarin Lulzim Caka.

Ndërkohë, kujtojmë se sipas ligjeve të vendit edhe gjyqtari, prokurori, OPGJ apo kushdo qoftë që ka detyrë takimin me të burgosur mundet ta bëjë atë veç në dhoma të posaçme brenda rrëgjimit të burgut dhe pas kontrollit rigoroz personal.

Për shkak të rrezikshmërisë së fortë të bandave, siç dihet në 2018 parlamenti miratoi ligjin 108/2018 sipas të cilit parashikohet edhe futja në rrëgjim të posaçëm (41 bis) të izolimit të plotë të të burgosurve të veçantë pikërisht për të parandaluar komunikimin e koordinimin me pjesën tjetër të organizatës kriminale brenda apo jashtë burgut; logjika e ligjit ka të bëjë me faktin se në rrëgjim normal burgu , kryebanditët edhe mund tia dalin të kordinojnë e ndërveprojnë me pjesën tjetër të bandës;

Sipas burimeve në Drejtorinë e përgjithshme të Burgjeve, verifikimi i përgjegjësive për shkeljet në këto dy raste do vijojnë edhe ndaj hallkave të tjera të sistemit të kontrollit në burgje.

Ndërkohë, më herët ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka njoftuar se të gjithë drejtuesit e burgjeve po kalojnë në një “sitë” kontrolli, duke urdhëruar edhe shpalljen e thirrjes për pozicionin “Drejtor në IEVP”.

Mësohet se masat e shtuara në sistemin penitenciar në vend kanë krijuar pakënaqësi te të burgosurit “VIP” të cilët kërkojnë të mos i hiqen privilegjet që kanë pasur më parë duke nxitur edhe një sërë mekanizmash për të penguar proceset e nisura./ tema

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re