Zbulohen detaje nga dosja e Prokurorisë lidhur me ish-ministrin e
brendshëm Saimir Tahiri ndaj të cilit sot kërkoi 12 vite burgim, por për
shkak të gjykimit të shkurtuar mund të dënohen me 8 vite.
Në dosje Prokuroria ka të zbardhur bisedën ambientale që kryhet mes
Moisiu Habilajt dhe një personi tjetër me emrin Sabi, në të cilën
përmendet edhe emri i ish-ministrit të brendshëm.
“Në vijim të bisedës, të dy flasin për emrin e të pandehurit Saimir
Tahiri. Moisiu thotë: “Ka më shumë se ne ai”. Sabi replikon dhe
këmbëngul se Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës dhe pozicionit)
por nuk beson se ka më shumë para se ata.
Moisiu llogarit se në një muaj Saimiri ka bërë 5 milion euro. Sabi i
thotë se paratë ai i shpenzon në fushatën elektorale. Më pas, Sabi i
thotë se e rëndësishme është që të mos bëjë pyetje, të mos thotë emra
dhe të mos dalë emri që i kanë dalë ‘para’ atij.
Moisiu i përgjigjet me ‘jo’ dhe se nuk beson se do ndodhë. Sabi
përsëri se ka frikë se nipi do flasë me të tjerë për atë që i ka dhënë
“para” atij”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Përgjimi ambiental është krye në bordin e makinës Fiat Panda me targa
EM 734WR, në përdorim të të pandehurit Moisi Habilaj rreth orës 20:25
datë 26 shkurt 2014, në bordin e makinës janë Moisi Habilaj dhe Sabaudin
Çelaj, i quajtur Sabi, shkruan ‘Balkanweb’.
Sabi: Ai do që të vijë pas 20 ditësh ose pas një muaji dhe do të na japë diçka.
Moisiu: Po.. nëse na jep afërsisht 400 na lehtëson na ndihmon shumë.
Sabi: Si?
Moisiu: Nëse na jep 400 mijë lekë.
Sabi: Sigurisht do hiqnim qafe goxha borxhe, dua të barazoj sheshoj gjithçka. Kështu fillojmë për hesapin tonë.
Moisiu: Sigurisht.
Sabi: Me shtetin, me personat dhe me të gjithë.
Moisiu: Për të qenë korrekt me të gjithë
Sabi: T’i zerojmë të gjitha kështu që punojmë për hesap të vetin, me 400 mijë lekë arrijmë të mbulojmë pothuajse gjithçka.
Sabi: Problematikë kemi Renaton… shtetin dhe paratë për qiranë”
Moisiu: Po, Po.
/bw
