Skip to content

Fqinjët i bëjnë ‘gropën’, e denoncojnë për armë dhe e fusin në burg

 

Një 60-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kurbinit pasi akuzohet se mbante armë pa leje. Burime zyrtare bëjnë me dije se 60-vjeçarit, me iniciale M.N., 60 vjeç, banues në Shkopet, Kurbin, iu gjet në banesë një armë zjarri pistoletë pa leje dhe 15 fishekë.

Gjithçka erdhi pas një denoncimi anonim, teksa qytetarë që banonin pranë të arrestuarit kishin telefonuar policinë duke ngritur shqetësimin e tyre. Ata janë shprehur se 60-vjeçari mban armë në shtëpi.

Pas këtyre informacioneve, policia ka mbërritur në banesën e tij në Kurbin, ka sekuestruar armën dhe 60-vjeçarin e ka vënë në pranga.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, pas informacioneve të marra nga qytetarët se një person mbante të fshehur armë zjarri në banesë, kanë organizuar menjëherë punën dhe si rezultat arrestuan në flagrancë shtetasin M. N., 60 vjeç, banues në Shkopet, Kurbin.

Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë pa leje dhe 15 fishekë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.