Aleksandër Soros, djali i filantropisit të njohur, themeluesit të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur George Soros, e shikon racizmin si shkak për refuzimin e Shqipërisë për hapjen e negociatave të pranimit me BE.
Në një mesazh në “Twitter” ku shpërndan qëndrimin e komisionerit Johannes Hahn, Aleksandër Soros shkruan se shqiptarët po paragjykohen dhe se Europa duhet të përballet me albanofobinë brenda saj.
“Ekziston një paragjykim dhe fanatizëm ndaj shqiptarëve etnikë në Evropën Perëndimore, i cili nuk duhet të nënvlerësohet në refuzimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë në këshill. Europa duhet të përballet me Albanofobinë e saj!”, shkruan Aleksandër Soros.
Ngurrimi i Bashkimit Evropian për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kritikuar nga shumë liderë europianë.
Pas “Jo”-së nga Këshilli Europian, në Maqedoninë e Veriut, pritet të mbahen zgjedhje të reja.
Ndërkohë në Shqipëri, opozita bën përgjegjëse qeverinë për refuzimin në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama justifikohet se arsyeja e vendimit nuk ka të bëjë fare me Ballkanin po me situatën brenda BE-së.
