Gjatë intervistës në Syri TV, Jamarbër Malltezi, përveç masakrës me pyjet në disa rrethe të vendit, foli edhe për situatën në Tiranë.
Sipas drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në PD, situata në kryeqytet po vjen duke u përkeqësuar.
“E vetmja zonë natyrale e mbetur në Tiranë është Kopshti Botanik. Për fat të keq, e gjithë bashkia e Tiranës nuk ka ekspertë dhe edhe parqet i konsiderojnë si lulishte. Pra, mes parkut fusin beton. Ore ka një dallim të qartë, të hapin fjalorin po të duan. Ka dallim mes lulishtes dhe parkut, mes lulishtes dhe Kopshtit Botanik. Për fat të keq këto janë vetëm fasada. Kanë ngelur në nivelin e fasadave. Nuk kemi një situatë të përmirësuar, për fat të keq kemi një situatë të përkeqësuar.
Tendenca e fundit për të grabitur edhe Kopshtin Botanik, është tendencë kriminale. Ka një histori 26-vjeçare. Kemi protestuar për Kopshtin Botanik pa dallime partiake. Kemi qenë bashkë me të atin e ish ministrit Gjiknuri. E kemi mbrojtur në vitin 1993 ku disa palë, që pretendonin se ishin pronarë, shkuan deri aty sa i vunë zjarrin përgjegjëses së Kopshtit Botanik. Kemi qenë me qindra studentë dhe pedagogë që e kemi mbrojtur”, u shpreh Malltezi.
Sipas ekspertit, kryeqyteti po bëhet një qytet jomiqësor me mjedisin dhe i pajetueshëm
“Tirana po bëhet një qytet jomiqësor me mjedisin dhe i pajetueshëm. Kryetari thotë pyll orbital ndërkohë që po mbjell vetëm beton”, deklaroi Malltezi.
Në fund të intervistës ai dha edhe një mesazh: “Duhet të organizojmë protesta ndaj kësaj qeverie. Kjo nuk ikën vetë. Jemi një shtet pa gjykata ku përfitojnë vetëm banditët. Duhet të përgatitemi për protesta. Rrugë tjetër nuk ka”.
