Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore do mblidhet mëngjesin e së enjtes. Për t’i dhënë përgjigje prioriteteve të palëve të përfshira në këtë proces, janë ngritur tre grupe pune të përbërë nga anëtarët e këtij komisioni ad hoc, konstituimi i të cilave do jetë pikë e parë e rëndit të ditës në mbledhjen e së enjtes.
Është menduar që për çështjen e diskutimit rreth sistemit zgjedhor, grupi i punës të përbëhet nga deputetët Damian Gjiknuri dhe Bashkim Fino nga PS dhe Myslim Murrizi dhe Nimet Musaj, nga opozita parlamentare. Për çështjet që kanë të bëjnë me financimin e partive politike në zgjedhje, grupi punës përbëhet nga Blerina Gjylameti dhe Klotilda Ferhati nga PS dhe Arben Elezi dhe Ralf GJoni nga opozita parlamentare.
Grupi i tretë i cili do diskutojë mbi njërin ndër prioritetet e mazhorancës, atë të garantimit të votës së emigrantëve, do përbëhet nga Alket Hyseni dhe Adnor Shameti nga PS dhe Korab Lita e Adriatik Alimadhi nga opozita parlamentare.
Në mbledhjen e së enjtes mësohet se do prezantohet paketa e parë që adreson rekomandimet e ODIHR-it për fushatën zgjedhore, kuotat gjinore, financimin e fushatës, regjistrimin e subjekteve dhe abuzimin e administratës.
Gjatë ditëve të fundit kryeministri Edi Rama ka deklaruar se miratimi i reformës zgjedhore do kalojë në dy faza.
Në të parët, e cila synohet të miratohet brenda muajit dhjetor të këtij viti, bëjnë pjesë ndryshimet ligjore, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR në tre zgjedhjet e fundit.
Ndërkohë që në fazën e dytë të diskutohet çështje që kanë më tepër peshë politike, si vota e emigrantëve, mundësia për rishikimin e sistemit zgjedhor dhe aplikimi i teknologjisë në zgjedhje.
