Skip to content

Terreni i vështirë malor pengesë për fikjen e zjarreve në Devoll

Vatra të shumta zjarresh të krijuara në zonën e Devollit të sipërm kanë hapur një betejë tashmë disa ditore për të shpëtuar zonën e mbrojtur pyjore pranë fshatit Nikolicë. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, terreni I vështirë malor bëhet pengesë e pa kapërcyeshme për ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, ndërsa flakët me një intensitet të lartë kanë sjellë dëme të konsiderueshme.

 

Një sipërfaqe prej të paktën 30 hektarë raportohet të jetë djegur.

 

Mihallaq Qirjo, drejtor I drejtorisë rajonale të zonave të mbrojtura, tha se përhapja e zjarreve po rrezikon të gjithë zonën e pyllit me pisha pranë fshatit Nikolicë. Sipas tij, zjarret janë shtrirë dhe kërcënojnë edhe banesat e këtij fshati duke vënë në alarm banorët e paktë të tij.

 

Forca të shumta nga shërbimi zjarrfikës jo vetëm nga Devolli por edhe nga rrethet e tjera që kanë ardhur për ndihmë, nuk po arrijnë të venë nën kontroll vatrat e zjarrit si pasojë e terrenit të vështirë.

 

Vatrat e zjarrit rrezikojnë të prekin edhe pyllin e Kozelit në rrethin e Kolonjës.