Batica ka goditur përsëri Venecian duke e kthyer në javën më të keqe të përmbytjeve të qytetit në histori. Autoritetet lajmëruan se niveli i ujërave arriti në 1.5 metra dhe 70% e qytetit historik qëndronte nën ujë.
Që kur nisën regjistrimet, ky nivel nuk është arritur as 2 herë në 1 vit. Nuk ka ndonjë herë tjetër në histori ku nivelet e ujërave të kenë kaluar 1.5 metërshin 3 herë në 1 javë. Zakonisht, baticat në 80-90 centimetra konsiderohen si të larta.
Sheshi i Shën Markut, që është pika më e ulët e qytetit dhe ku ndodhet kisha ikonë e Shën Markut, u përmbyt përsëri dhe u mbyll ndaj turistëve. Muzetë dhe dyqanet në zonat e përmbytura qëndruan gjithashtu të mbyllura. Qindra vullnetarë janë angazhuar për të ndihmuar banorët e Venecias dhe mbrojtur ndërtesat historike të qytetit. Në javën e kaluar, qyteti shpalli gjendjen e emergjencës dhe ministrat premtuan 20 milionë euro për të trajtuar dëmin e menjëhershëm.
Pjesë të tjera të Italisë janë goditur nga moti i keq në fundjavë, ndërkohë që lumi Arno në Piza rrezikoi të dilte nga shtrati. Ekspertët thonë se Venecia po zhytet në baltën ku është ndërtuar dhe se po kërcënohet nga rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimit klimatik.