Marinsat amerikane zbarkuan në Tiranë, në një festë të Ambasadës amerikane, e përcjellë edhe në faqen e facebook të vetë Ambasadës.
Në postimin e saj, Ambasada Amerikane shkruan se “Marinsat amerikanë përfaqësojnë më të mirën e vlerave amerikane dhe unë do të jem e para që do të bëj detyrën time duke dhënë më të mirën për të shfaqur të njëjtin nivel nderi, guximi dhe përkushtimi që ju tregoni çdo ditë”.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane Leyla Moses-Ones në festën e përvjetorit të 244-ët të Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara kishte organizuar një ballo tradicionale, e cila përfshin edhe ceremoninë e ndarjes së tortës dhe feston themelimin e Korpusit, historinë dhe traditat e tij.
Forcat e Operacioneve Speciale të Marinsave të Shteteve të Bashkuara pak kohë më parë bënë një stërvitje të përbashkët luftimi me Forcat Speciale Shqiptare në fshatin e stërvitjes urbane në rrethinat e Tiranës.
Kjo mundësi dy javore shërbeu si një trajnim për forcat shqiptare përpara nisjes së tyre në Afganistan, si pjesë e misionit të NATO-s.
