56 banorë të Durrësit janë strehuar falas në një rezidencë në qytetin e Korçës.

 

Ata tregojnë se janë ende të tronditur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe gjithçka që ndodhi në Durrës. Nata e 26 nëntorit ishte një tmerr për ta, ndërkohë që kërkojnë ndihmën e shtetit edhe për nevojat më bazike.

 

Drejtoria rajonale Korçë bën të ditur se në dispozicion të fëmijëve të prekur nga tërmeti janë vënë edhe psikologë.

 

Vlora është një tjetër qytet që ka hapur dyert dhe ka pritur dhjetëra banorë të Tiranës dhe Durrësit. Ata kanë zgjedhur këtë qytet bregdetar, pasi e kanë menduar si më të sigurte, deri sa situata të qetësohet.

 

Shumë prej të ikurve thonë se kanë gjetur ngrohtësi në familjet vlonjate në këto ditë të vështira. Edhe Berati është bërë strehë e shumë familjeve që lanë Durrësin dhe rrethinat e tij.

 

Solidarizim kanë shprehur shumë nga hotelet në qytetin e Beratit. Enka Marko tregon se duke parë vështirësinë dhe nevojën që patën këta banorë vendosi të ofrojnë strehim falas.

 

Familjet e vendosura nuk do të paguajnë për ditët e qëndrimit, duke ua bërë më të lehtë situatën pas tronditjes që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re