Kryeministri Edi Rama këtë të enjte në mbledhjen me këshilllin e ministrave ka premtuar ngritjen e lagjeve të reja në Tiranë, Laç e Durrës pas shembjes së të gjithë banesave e pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Shefi i qeverisë është shpehur se vendet ku do vendosen familjet që kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti do jenë lagje model dhe me një miksim të familjeve të varfra me ato të shtresës së mesme.
Ai dha porosi për prishjen e godinave të dëmtuara dhe për të ndihmuar banorët të nxjerrin plaçkat.
“Në Laç duhet të fillojmë shembjen e atyre godinave. Të gjitha pallatet që vizitova unë, pallatet e revolucionit demokratik duhet të shemben. Të kemi dhe në Laç një lagje krejt të re të ndërtuar me parametra të rinj. Filloni shembjen, komunikoni me banorët për të marrë gjërat që kanë brenda, ndihmojini t’i nxjerrin dhe filloni shembjen. Gjithë ato pallate duhet të rrëzohen dhe të bëhet një lagje e re e Laçit.Të fillojmë bashkëpunimin me agjencinë shtetërore të Turqisë që premtimi i presidentit të Turqisë për të ndërtuar 500 shtëpi të realizohet. Të shembim pa pushim Shkrel, pa pushim, në Kombinat, në Laç në Durrës, ça ka për të shembur. Në zonën e Lezhës të identifikojmë ekzaktësisht edhe njëherë nëse ka pallat për të shembur, të shembim”.
Gjithashtu ndër të tjera Rama është shprehur se lagjet e reja do të jenë me gjithë parametrat e furnizimit me ujë, më kanalizime, me kënde lojërash, kënde sportive, qendër shëndetësore, lagje model se si duhet të jetë Shqipëria e së nesërmes.
“Do jenë lagje të reja me gjithë parametrat e furnizimit me ujë, më kanalizime, me kënde lojërash, kënde sportive, qendër shëndetësore, lagje model se si duhet të jetë Shqipëria e së nesërmes. Nuk ka asnjë kuptim që ne të ndërtojmë banesa me standarde minimaliste dhe riparime aty për aty me idenë hajde ta kalojmë këtë dhe shohim më vonë. Duam që të jenë lagje ku të kemi miksim të familjeve të varfra me familjet e shtresës së mesme. Ku të kemi aktivitet ekonomik, një jetë sociale si në qendër të Tiranës. Programi i investimeve bën që të mos kemi thjesht një transferim të ardhurash. Tek apartamentet ekzistuese po shohim dhe po bëjmë gati të gjithë sasisë që na duhet në fazën nga çadra në shtëpi”.
