Skip to content

Komisionerja e KiE, thirrje qeverisë: Rishikoni paketën anti-shpifje

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović ka reaguar në lidhje me draftet e paketës anti-shpifje që për herë t ëparë përfshin median online.

 

Mijatović përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga kuvendi i Shqipërisë që të rishikojë draftet e paketës anti-shpifje, me argumentin se duhen përshtatur sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës.

 

Ndër të tjera në reagimin e saj ajo thekson se ndërhyrja e shtetit në rregullimin e medias mund të cënojë lirionë e shprehjes.

 

“Mësova me shqetësim se këtë javë, Parlamenti shqiptar synon të miratojë dy projektligje, të njohura si “paketa antishpifje”. Këto pr.ligje kanë nevojë urgjente për përmirësime. Disa parashikime nuk janë në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut, që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Jam veçanërisht e shqetësuar me fuqitë vendimmarrëse që u jepen organeve rregullatore, me mundësinë që të vendosin gjoba të majme dhe të bllokojnë media online pa patur më parë një vendim gjykate. Po ashtu edhe ndërhyrja e shtetit në rregullimin e medias online mund të minojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend. Është me rëndësi që të sigurohemi që interneti të mbetet një forum i hapur, publik ku të mbizotërojë parimi i vetërregullimit, përfshirë këtu edhe për median online. Për këto arsye, kërkoj prej deputetëve të Parlamentit shqiptar që të rishikojnë draftet në fjalë dhe t’i sjellin në linjën e standardet e vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës.”