Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrestimin e mjekut gjinekolog, Ardian Kadaifçiu, lidhur me vdekjen e 25- vjeçares Rexhina Debrova pak pas lindjes së vajzës së saj.

Caktimi i masës “Arrest me burg” është kërkuar 8 muaj pas ngjarjes së rëndë, ndërsa akuza që rëndon ndaj mjekut është “Neglizhencë në trajtim mjekësor”. Ndërkohë, mjeku Kadaifçiu është larguar në SHBA bashkë me familjen e tij.

Ardian Kadaifçiu ishte mjeku gjinekolog, i cili asistoi në lindjen e Rexhina Debrovës, në muajin prill të këtij viti.

Prokurori i çështjes i ka kërkuar Gjykatës së Elbasanit caktimin e masës së “Arrestit në burg” në mungesë, pasi gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar që mjeku ka bërë neglizhencë gjatë trajtimit mjekësor ndaj 25-vjeçares. Sakaq, mësohet se mjeku u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak kohë pas ngjarjes së rëndë.

Për këtë, Policia e Elbasanit e ka shpallur në kërkim mjekun Kadaifçiu.

Ngjarja e ndodhur në muajin prill të këtij viti tronditi qytetarët e Elbasanit, por jo vetëm. Dhimbja e familjarëve të Rexhina Debrovës u përçua në gjithë vendin, ndërsa hodhën akuza të rënda ndaj mjekëve që ndoqën rastin e Rexhinës, ditën kur kishte mbërritur me urgjencë në spital.

Nëna 25-vjeçare, pak momente pas lindjes ishte ankuar se diçka nuk po shkonte me shëndetin e saj. Kjo ankesë, nga hetimet e organit të akuzës duket se është neglizhuar nga stafi në sallën e lindjes, duke e cilësuar si normale, por pak minuta më pas ajo ndërroi jetë.

Familjarët e Rexhinës hodhën akuza të rënda ndaj mjekëve të spitalit, duke i bërë ata përgjegjësit kryesorë për neglizhencën e treguar ndaj nënës së re, që sipas tyre shkaktuan vdekjen e Rexhinës.

Vetëm pak ditë pas ngjarjes, mjeku ligjor nxori autopsinë, ku u konfirmua se shkaku i vdekjes së saj ishte koagulimi, mpiksja e gjakut ose e thënë ndryshe, bllokimi i njërës nga venat që çojnë gjakun në mushkëri. Mjekët e shpjeguan këtë rast si normal, pasi ndodhin raste të tilla pas lindjes.

Familjarët e së resë nuk e pranuan këtë fakt, duke bërë më pas denoncimin e rastit në Prokurori.

Ata kërkuan zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e mjekut që ndiqte rastin e Rexhinës. Bashkëshorti i së ndjerës mësohet se herë pas here interesohej për hetimet që kryente organi i Akuzës, duke çuar më tej thellimin e hetimeve në dosje.

KERKESA

Të afërmit e vajzës kanë deklaruar që nga momenti i ngjarjes se shteti duhet të funksionojë deri në fund dhe autorët që çuan në vdekjen e Rexhinës, e cila la pas një vajzë të porsalindur, duhet të shkojnë në qeli.

Tashmë Policia e ka shpallur në kërkim mjekun gjinekolog, ndërsa ende nuk dihet nëse ky i fundit do t’i vetëdorëzohet drejtësisë shqiptare apo do të arrestohet në SHBA, aty edhe ku ndodhet aktualisht

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re