Në ditët e fundit të vitit që sapo mbyllëm në Bashkinë Berat ashtu, si kudo u miratua me 100% të votave buxheti i ri. Në fushën e sportit edhe njëherë pjesën e ”luanit” e mori futbolli. Por për FK Tomorit pas kësaj mbledhje të Këshillit Bashkiak ka patur një miratim të rëndësishëm, se aksionet e klubit janë në shitje.
Berati.TV ishte një ndër të parat media që foli mbi këtë çështje që u bë virale. Por tashmë është edhe vet klubi që zyrtarizon gjithçka me anë të një njoftimi në faqen zyrtare. Ashtu si ishte transmetuar ata pasi vlerësojnë punën e mirë të bërë nga klubi tregojnë se tashmë borxhet e prapambetura të klubit janë zero.
Një situatë ku Tomori nuk ndjehej prej vitesh dhe po ashtu në këtë periudhë janë bërë edhe ndryshime në stadium.
Tashmë Bashkia që është e vetmja aksionere me 100% të aksioneve është hapur për bisedime me çdo investitor të gatshëm për të blerë 76% të aksioneve ashtu, si parashikon edhe ligji pasi Bashkisë Berat i mbeten 24% të aksioneve të klubit.

Statusi i plotë në faqen e FK Tomori:
🗣️ PO, KLUBI ËSHTË NË SHITJE!
Gjithçka po bëhet e ditur në mënyrë zyrtare nga zyrat e Tomorit, edhe pse një lajm i tillë ka qarkulluar prej ditësh në gazeta, apo edhe portale online. Institucioni i “Bashkisë së Beratit” që ka nën menaxhim 100% të aksioneve, prej ditësh ka vendosur që të nxjerr në shitje 76% të tyre.
Si faqja zyrtare që përfaqëson dhe nxjerr në pah dinjitetin e këtij klubi, ne jemi të detyruar që të informojmë të gjithë opinionin publik që:
PO, KJO GJË ËSHTË E VËRTETË.
Gjatë kësaj periudhe që ndodhemi në krye të klubit, ne jemi përpjekur që të bëjmë diçka të mirë që të mbahet mend dhe të jetë plotësisht në favor të Tomorit, ku shlyerja e të gjitha borxheve është diçka që nuk ishte bërë më parë. Pra, tashmë çdo investitor që do të interesohet apo dhe ata që janë interesuar, do të mendojnë vetëm për investimet që do të bëjnë dhe jo për ato që do të shlyejnë.
Çdo investitor është shumë i rëndësishëm, ku dyertë e Klubit dhe të Bashkisë janë të hapura në çdo moment.
Berati.TV



