Duke folur për kamerën e ‘Fax News’, Bujar Nishani u shpreh se ai asnjëherë nuk ka kërkuar pozitë dhe ofiqe në Partinë Demokratike, pasi sipas tij, është nga ato figura që ka hyrë dhe është rritur në këtë forcë politike dhe se besimin e marrë nga PD është përpjekur ta përkthejë me shërbime serioze dhe me integritet të lartë. Sipas Nishanit, ai ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë anëtar i Partisë Demokratike dhe se do të punojë fort që kjo forcë politike të rifitojë identitetin që i takon.

“Unë s’kam kërkuar kurrë poste dhe ofiqe në PD. Kam hyrë dhe rritur në PD. Kam përkthyer besimin e dhënë nga PD me shërbime serioze dhe integritet të lartë dhe s’kam për të pasur nevojë kurrë për poste dhe ofiqe. Jam dhe do të mbetem gjithmonë anëtar i PD dhe besoj dhe do të punoj fort që PD të fitojë identitetin që i takon. Sepse vetëm kështu do të përballet me një problematikë të madhe sikurse është mungesa e shtetit dhe  institucioneve, varfëria etj.”, është shprehur në lidhje me këtë çështje Bujar Nishani.

I pyetur nëse do ta mbajë postin e anëtarit të Këshillit Kombëtar, Nishani është shprehur se respekton të gjitha vendimet e statutit të partisë, por se nuk do të pranojë kurrsesi që të keqpërdoret dhe të injorohet apo shkelet ky statut, që për demokratët është Kushtetuta.

“Respektoj vendimet e statutit të partisë, por nuk do të pranoj kurrsesi që të keqpërdoret, të injorohet apo shkelet ky statut, që për të gjithë demokratët është si Kushtetuta e vendit. Ne duhet të përshtatemi me kohën dhe sfidat e saj. Sot në Partinë Demokratike duhet të niste procesi i përgatitjes për zgjedhjet e vitit 2025 apo për zgjedhjet lokale, por deri sot s’ka asnjë hap të tillë për të qenë të gatshëm për t’u përballur me këtë regjim. Dhe ky është shqetësimi im i vetëm për momentin.”, tha më tej z. Nishani.

Ish-Presidenti nuk ka nguruar të sulmojë as kryedemokratin Basha, që sipas tij, kërkon të tregojë autoritetin e tij, por kjo nuk arrihet dot në rrugën që ka zgjedhur Basha ta bëjë, pasi autoriteti fitohet me respekt, respekti përmes punës dhe puna bëhet kur ke vullnet për të punuar. Dhe këtë gjë Basha s’e ka bërë, sipas Nishanit, pasi nuk ka punuar fort për të qenë aty ku është, por është bërë direkt kryetar, duke i kaluar të gjitha shkallët dhe duke mos i provuar sakrificat e të qenit në PD. Sipas Nishanit, kjo për arsyen se një njeri si Basha, punën e parë që ka bërë në këtë vend, ka qenë ministër.

Ndërkohë, duke komentuar marrëdhënien e Bashës me Berishën, Nishani tha se marrëdhëniet janë personale, por sipas tij Basha gjithmonë është përpjekur që të krijojë në perceptimin e publikut se ka qenë pikërisht Berisha që nuk e ka lejuar atë të bëhet ai lideri i madh që ai ka dashur gjithmonë.

“Marrëdhëniet janë personale me të cilat nuk i gjykoj apo analizoj. Ka qenë një abuzim që në 8 vite qëndrim në PD të Lulzim Bashës ky i fundit ka abuzuar me perceptimin e publikut duke abuzuar sikur se ka lënë Berisha të bëhet një lider i madh. Lider ti lind nuk bëhesh. Basha është kategori njerëzish që nuk është lindur për tu bërë lider. “Asnjë njeri nuk është perfekt në këtë botë, por simbolika që përfaqëson Berisha nuk mund ta ç’bësh dot me debate. Berisha nuk besoj se i jep kosto PD, por me kontributin e tij, ai ja ka shtuar rezultatet politike PD. PD nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë partia e një njeriu, as e Berishës, as e Bashës. PD sot përfaqëson mbi 600 mijë qytetarët që e votuan. Nëse do të kthehet në vlerat e ndershmërisë, integritetit, punës, dëshirës, do të përfaqësojë shumë më shumë. Vendi ka nevojë për një model të ri, që nuk mund të vije nga partia që e ka qeverisur prej 98 vitesh, por as nga Lulzim Basha. Opinioni publik është i qartë.”, tha Nishani në lidhje me këtë çështje.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re