Nga Erion Dasho

Çdo datë 12 të shkurtit, majit, gushtit dhe nëntorit, INSTAT publikon tabelën e Treguesve Demografikë për tremujorin paraardhës.

Ishte pikërisht ky raport i datës 12 nëntor 2020 që provoi për herë të parë mashtrimin me vdekjet nga COVID-i. Pas daljes së atij raporti, u kuptua se vdekshmëria prej COVID-it në periudhën Korrik-Shtator 2020 nuk ishte 288 sa pretendohej nga qeveria, por rreth 1,300.

Disa ditë më pas, kreu i opozitës do të provonte se ky mashtrim bëhej qëllimisht, ku të paktën gjysma e vdekjeve fshihej si pasojë e përgjegjësive të paqarta në raportim dhe përkufizimit të termit “vdekje nga COVID” sipas interestit dhe leverdisë së qeverisë.

Për shkak se diferencat në raportimin e vdekshmërisë prej COVID-it janë një fenomen i njohur (objektiv në pjesën më të madhe të vendeve, por i lidhur me mashtrimet në vendet autoritare dhe gjysmë-autoritare), mekanizma investigues prestigjiozë i janë referuar pikërisht numrit të shtuar të vdekjeve për të vlerësuar NUMRIN REAL të vdekjeve nga COVID-i.

Studime të besueshme epidemiologjike në gjithë botën flasin se ka një lidhje direkte midis vdekjeve shtesë dhe vdekjeve nga COVID-i. Kështu VDEKJET REALE nga COVID-i vlerësohen midis 90% dhe 110% të numrit të vdekjeve shtesë.

Në këtë kontekst, revista Monitor në Shqipëri ju referua shifrave të gjendjes civile dhe zbuloi se gjatë vitit 2020, Shqipëria ka patur 6,049 vdekje shtesë. Bazuar në këto vlera të vdekshmërisë shtesë, Shqipëria në datën 31 dhjetor 2020, nuk kishte 1,181 vdekje nga COVID (aq sa raportonte zyrtarisht ministria dhe komiteti), por një NUMËR REAL TË VDEKJEVE midis 5,444 dhe 6,554.

Në përputhje me këto shifra, Shqipëria nuk ishte një vend në mes të listës Europiane të vdekjeve nga COVID, por një nga tre vendet me vdekshmërinë më të lartë në Europë, madje edhe më të lartë se Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Italia dhe Spanja që njihen botërisht për numrin e lartë të vdekjeve nga COVID dhe që në statistikat zyrtare mbajnë vendet e para për nga numri i vdekjeve për 1 milion banorë.

Pikërisht në datën 12 shkurt 2021, ditën kur pritej dalja e publikimit periodik të INSTAT që do të zyrtarizonte numrin e vdekjeve ekstra gjatë tremujorit të fundit 2020 dhe, rrjedhimisht gjatë gjithë vitit 2020, ky publikim është fshehur.

Kur klikon në faqen e INSTAT-it: http://www.instat.gov.al/…/lindjet-vdekjet-dhe…/… (hera e fundit që unë klikova ishte ora 06:00 a.m. e datës 15 shkurt 20201) linku i raportit të tremujorit të fundit 2020 nuk hapet.

Hapet raporti i tremujorit të tretë dhe deklarohet se në datën 12 maj 2021 do të publikohet raporti i tremujorit të parë 2021, por linku i tremujorit të katërt 2020 nuk hapet.

Në këto kushte, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin: PSE FSHIHEN SHIFRAT ZYRTARE TË VDEKJEVE? A MOS PO TENTOHET MANIPULIMI I TYRE?!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re