Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, foli në rubrikën “Opinion”, në News 24, për situatën e rëndë të krijuar në vend nga pandemia e koronavirusit.

Tomini theksoi se në spitalin Covid-3, të hapur ditën e sotme brenda ambienteve të QSUT, do të shkojnë pacientët e trajtuar në spitalet Covid-1 dhe Covid-2 dhe që vijojnë të kenë nevojë për trajtim spitalor.

“Te Covid-3 mund të shtrohen edhe pacientë që kanë nevojë për terapi intensive. Te Covid-3 do të shkojnë raste të rënda, që kanë kaluar nga Covid-1 dhe Covid-2, por që vijojnë të kenë nevojë për trajtim spitalor. Drejtues i këtij spitali është prof. Arjan Harxhi”, tha Tomini.

A është diskutuar hyrja në lojë e spitaleve rajonale?

Kemi diskutuar që janë katër spitale covid, që do të jenë në angazhim kundrejt pandemisë.

Por, ndërkohë do të hyjnë në lojë edhe spitale të tjera. Nëse numri i infektimeve do të shtohet gjatë dimrit, sigurisht që do të hyjnë në lojë edhe pesë spitale rajonale, ai i Shkodrës, Durrësit, Fierit, Korçës, etj. Pas ezaurimit të katër spitaleve në Tiranë, do të hyjnë pesë spitale rajonale, e më tej edhe pesë spitale të tjera.

Si është e vërteta me testet?

Jemi në situatën aktuale ku në mbarë botën sistemi shëndetësor po përballet me një situatë të jashtëzakonshme. Pavarësisht se ka vend për më shumë, por nuk do të thoja që është situatë jashtë kontrollit.

Kemi 8-9 javë që bëjmë rritje të testimeve. Sot përsëri kemi pengesa apo mospranim të Covid nga individët, nuk raportojnë as kontaktet. Për rrjedhojë, ndjekja e kontakteve është e vështirë. Sa i përket vonesave në përgjigje sigurisht që ISHP ka një ngarkesë të jashtëzakonshme. Duhet kuptuar se në një situatë të tillë ka dhe mangësira, që jemi të gatshëm t’i rikuperojmë.

A do rritet numri i testimeve?

Testimet në ISHP janë shtuar, ndoshta katërfishuar nga korriku. Sigurisht që do të testojmë akoma më shumë, lidhur ngushtë me hetimin epidemiologjik. Testimi masiv nuk ka dhënë rezultat as në vendet e tjera.

A do mbërrijë Shqipëria në karantinë të dytë?

Sigurisht që merren të gjithë opsionet e mundshme për minimizimin e virusit. Karantina dha efekte shëndetësore, psikologjike, ekonomike. Mbetet një opsion i fundit. Do të ezaurohen të gjitha opsionet e tjera më parë, dhe në fund do të shihet. Do të shihet ezaurimi i spitaleve dhe rritja e numrit, të cilët do të na detyrojnë për hapa të mëtejshëm.

Pse u vendos që universitetet të nisin online?

Këto grupmosha janë transmetues shumë të mirë të virusit. Ardhja e vjeshtës favorizon grumbullimet e tyre. Madje ishin grumbullimet e tyre që na çuan në një vendim të tillë. Vetëm maska nuk do të ishte elementi i domosdoshëm, pasi do duhen dhe elemente të tjera. Do kishim shpërthime epidemike në këto struktura, ndaj dhe vendosëm nisjen e tyre online. Kjo është një masë e përkohshme, pasi do të monitorohet situata çdo dy javë dhe do të rigjykohet situata.

Do të mbyllen lokalet e Bllokut pas orës 22:00?

Menjëherë pas fundjavës Komiteti Teknik do të mblidhet për ta vendosur, por që do të mbyllen kjo është e sigurt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re