Ashpërdorohen rregullisht zgjedhjet tek ne?! Pse përdoret rëndom çdo aset i partisë në fuqi për të fituar? Pse nuk i pranon asnjëherë zgjedhjet PD-ja? Pse nuk kihet tashmë besim as tek numëruesit partiakë? Pse shqiptari nuk bën dot zgjedhje të mira?
Një varg pyetjesh qëndrojnë sot mbi publikun. Por PD-ja i ka dalë para dhe vazhdon të akuzojë për çdo ditë. Me imazh, video dhe përmes kryetarit Berisha, ajo nuk lë moment pa treguar të gjithë procesin e manipuluar, sipas tyre. Nga ana tjetër, nga PS-ja jo vetëm që nuk ka përgjigje, por shkohet një hap më tej: Po përgatiten për të bërë trajnimin e ligjvënësve të tyre! Një shkollë për njerëzit që do bëjnë dhe do kalojnë ligjet e shtetit shqiptar!
Po pse shteti shqiptar është kaq i brishtë?! Si mund t’u besosh rishtarëve të paprovuar dhe atyre që tek PD-ja ngacmojnë votat e njëri-tjetrit?! Plot 35 vite pas rënies së Socializmit, Shqipëria haset me problematika të mëdha në të gjitha anët. Dhe, një pyetje që vjen në formë instiktive: Pse është kaq i vështirë normaliteti në Demokraci?!
Mbase përgjigja vjen me ndihmën e përhertë nga letërsia. Svevo thoshte se: “Besoj se jeta është shumë më origjinale sesa ajo që jam unë në gjendje të trilloj”. Kurse Melville shkonte një hap më parë “Jeta është më e çuditshme sesa trillimi”. Në fakt, jeta në Shqipëri dhe jo vetëm po bëhet gjithnjë e më e pabesueshme në realitetin e hidhur, sesa ajo ç’mund të sajojë fantazia njerëzore.
Dhe, fantazia e politikanëve shpesh të bën të ndalesh dhe të kuptosh se çfarë po ndodh me vendin tonë me ligjet e reja që imponon maxhoranca, e cila si flamur mban tashmë integrimin dhe për fat era evropiane po ia hap Shqipërisë grupkapitujt një e nga një. E paimagjinueshme as ta çoje ndërmend këtë kohë më parë. Ashtu si e lodhshme dhe po aq e paparë, ajo që sjell opozita për ditë.
A është jeta që shikojnë politikanët më e sofistikuar se trilli. Me sa duket po, përderisa, njëra palë i afrohet pareshtur në të gjithë rrëfimin e saj integrimit (me handikapët e pafund të shoqërisë), kurse tjera batërdisë së vendit, që e shikon me zgjedhjet, korrupsionin dhe banditizmin…, të cilat ajo i rendit të detajuara dhe të shkoqura, sikur të jenë krijuar enkas. A po jetojmë në realitet apo në trillin politik?! Kur shikon, se situata nuk ndryshon prej më shumë se një dekade, duhet të jemi në një trill, që e shikojmë ne të gjymtuarit, ose çyrykët… si realitet.
Nga Ben Andoni