BESARTA BASHA/ Një argument shtesë për të cilën Kryeministri Edi Rama kërkon edhe një mandat të katërt është ai i legalizimeve.

Me gjithë ato që i konsideron “poshtërsi” që kanë ndodhur ndër vite me këtë proces, në 12 vjet kreu i qeverisë thotë se ka legalizuar 270 mijë banesa, ndërkohë që janë edhe 60 mijë të tjera. Për ta përmbyllur, sipas Ramës, duhen edhe dy vite të tjera duke ditur rrugën që duhet ndjekur dhe gabimet që duhen shmangur.

Nga qershori i 2024-ës, qeveria përfshiu në procesin e legalizimeve edhe bashkitë, duke mos ia lënë më Kadastrës monopolin e zgjidhjes, jo vetëm për përshpejtimin e procesit, por edhe për të shmangur abuzimet. Kështu, bashkitë morën tagrin që të udhëzojnë zyrat e Kadastrës mbi dosjet që duhet të marrin në shqyrtim, i cili zakonisht bëhet bazuar në rendin kronologjik, duke nënkuptuar përparësi për aplikimet më të hershme.

PREMTIMI

Gjatë një takimi me fermerët në Cërrik, kryesocialisti Edi Rama u ndal të çështja e legalizimeve, duke thënë se që kur qeveria e tij mori detyrën e deri më tani janë bërë 270 mijë legalizime, ndërsa kanë mbetur 60 mijë të tjera, që zotohet të mbyllen deri në vitin 2028.

“E para, sa i përket regjistrimit, është e vërtetë që ka marrë kohë, por duhet të keni parasysh se nuk është punë e lehtë, për më tepër duke u nisur nga rrëmuja totale që ne kemi gjetur në Kadastrën e shtetit. Tani ka filluar puna për së mbari. Po bëhet regjistrimi i inventarizimit digjital, i kompjuterizuar i tokës, me mbështetjen e BE-së. Pjesë e angazhimeve tona në procesin e anëtarësimit parashikohet të përmbyllet si proces deri në 2028”, – vuri në dukje kryeministri, teksa foli më tej për mundësitë që ofrohen me miratimin e ligjit për ‘Paketën e maleve’.

“Duket sikur s’ka të bëjë me ju, se quhet ‘Paketa e maleve’. Kur ne kemi bërë hap të rëndësishëm për pronësinë, duke iu dhënë mundësi atyre që kanë pronën faktike, por nuk e zotërojnë juridikisht se s’kanë dokumentet, do t’u japim mundësi të gjithë atyre që duan të investojnë në këto toka, që me një dëshmi të këshillit bashkiak, të hyjnë në një marrëdhënie me shtetin, ta paguajnë 1 euro, të bëjnë investimin e tyre dhe ta regjistrojnë si tokën e tyre. Ky është proces për të kapërcyer llojet e pengesave burokratike dhe ligjore. Të njëjtin koncept duam ta shtrijmë te toka e punuar”, – deklaroi Rama.

PENSIONET

Gjatë bashkëbisedimit, një fermer ngriti shqetësimin në lidhje me pensionet e ulëta. Teksa bëri një pasqyrë të situatës së pensioneve në vend, Rama tha se synon që pensioni minimal të jetë 200 euro, teksa e cilësoi këtë temë si çështja më delikate në aspektin e buxhetit të shtetit.

“Shumëkush tregon shumë përralla në këtë punë, por logjika është e thjeshtë si funksionon: pensionet dalin nga fondi i sigurimeve shoqërore dhe janë rezultat i asaj që njerëzit kanë paguar nga paga e tyre për pensionin e tyre logjika është kush ka një pagë, paguan sigurimet shoqërore. Sot me ato sigurime shoqërore paguhen pensionistët e sot dhe kur ai del në pension paguhet me sigurimet e atyre që vijnë mbrapa”.

Sipas Ramës, problem më i madh janë pensionet e fshatit, në aspektin e sigurimeve shoqërore nuk kanë dhënë kontribut.

“Një tjetër problem është se shumë njerëz kanë ikur, tani u vjen mosha e pensionit dhe thonë na del shumë i ulët. Ndërkohë ata kanë kontribuar për sigurimet atje, jo këtu. Për këtë arsye është bërë gjithë procesi i njohjes së pensioneve me Italinë dhe dëshirojmë të ndodhë dhe me Greqinë”, – tha Rama teksa theksoi se ekonomia po rritet në shifra të qëndrueshme, ndërsa përmendi edhe disa investime që janë bërë në Cërrik.

Rama përmendi më tej se, “kemi filluar ta rrisim në mënyrë të ndjeshme bonusin e fundvitit dhe të japim dhe bonusin e pranverës, janë dy bonuse që në totalin e vet shkojnë 165 milionë euro dhe duam që ta mbajmë këtë”. Kryeministri kujtoi edhe skemën e pensioneve në të kaluarën, të cilën e cilësoi si një nga politikat më kriminale. “Sot ka pensionistë të cilët për të njëjtën punë, të njëjta vite pune marrin pensione të ndryshme, sepse çfarë ndodhi, që ishte një nga politikat më kriminale që janë bërë nga këneta, u bë një mbyllje masive e gjithë aseteve të Shqipërisë dhe u nxorën njerëzit në rrugë që 40 vjeç, u shpallën pensionistë dhe kjo u shoqërua me një vendim që pensioni më i lartë është 200 mijë lekë të vjetra, ndërsa pensionet e tjera ishin komplet qesharake. E gjithë kjo krijoi një masë të madhe njerëzish, që nga një anë u shpallën pensionistë nga ana tjetër, puna e tyre nuk figuronte në sigurimet shoqërore. Niveli i punës në të zezë ishte katastrofik dhe përveç kësaj, kjo situatë u mbajt deri më 2014, kur ne e hoqëm tavanin dhe thamë një gjë shumë të thjeshtë, pensioni është ajo që ti ke kontribuar në vite dhe prandaj na ra goja duke u thënë njerëzve që të mos e marrin pagën në dorë. Të duket sikur merr pak më shumë, por i bën gropën vetes kur të dalësh në pension. Ai që ta bën këtë po të vjedh pensionin”, – tha Rama duke shprehur aspiratën e tij për Shqipërinë e 2030-ës, ku pensioni minimal të jetë 200 euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko