Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin nacional Berat-Urë Vajgurore. Në vendin e quajtur “Kthesa e Lapardhasë” dy mjete janë përplasur fuqishëm me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në kanal. Një 51-vjeçar që udhëtonte i pirë në mjetin tip ‘Mercedes Benz’, me targa AA 279 EF, ka përplasur nga prapa një automjet tip ‘Ford Fokus’, me targa AA 649 FC. Si pasojë e përplasjes të dyja mjetet kanë devijuar nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal.

Dy drejtuesit e mjeteve kanë dalë pa dëmtime, ndërkohë që është plagosur rëndë pasagjeri 30-vjeçar që udhëtonte në mjetin tip ‘Ford Fokus’. I plagosuri ka pësuar fraktura të shumta në gjymtyrë dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë shkuar ekspertë të policisë rrugore, që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të aksidentit, për të zbardhur shkaqet e tij.

Nga matjet e para në vendngjarje, konfirmohet se shkak për këtë aksident është bërë mjeti, tip ‘Benz’, që duke udhëtuar me shpejtësi në drejtim të qytetit të Beratit, ka goditur nga prapa ‘Fordin’. Burimet policore në vendngjarje konfirmojnë se 51-vjeçari që drejtonte ‘Benzin’ ishte i pirë në timon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re