Në një bashkëbisedim me të rinj për rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së dhe një ndër studentet e Lëvizjes së Dhjetorit, Mesila Doda, u shpreh se “çdo 20 shkurt na kujton që diktaturat nuk bien vetë, por duhen rrëzuar”.

“Sot është një ditë refleksioni për të kuptuar se çfarë duhet të ndryshojmë për të rinjtë, por edhe pjesën tjetër të popullsisë. 30 vite pas rrëzimit të sistemit komunist, ne hapim negociata çdo vit, por jemi ende larg ëndrrës sonë të “Shqipërisë si gjithë Europa”, u shpreh Doda.

Shqetësimit të të rinjve mbi situatën e rëndë në arsim, mungesën e meritokracisë në punësim, që i detyron ata të largohen nga vendi, Doda iu përgjigj me disa zgjidhje nga politikat programore të PDIU.

“Shqipëria që prodhon është “leva e Arkimedit” për të ndryshuar vendin, për të shpëtuar ekonominë nga falimenti, për të ndaluar varfërinë endemike, dhe për të mbajtur të rinjtë në vend”, theksoi ajo.

Gjatë takimit, Doda iu përgjigj edhe kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili po përdor kontratat e punësimeve afatshkurtra për të siguruar vota.

“Mbi 300 kontrata ka bërë Ujësjellësi i Tiranës dhe kjo është e turpshme.

Përpiqet të marrë disa nga LSI, disa nga PD, disa nga PDIU. Por unë po i them shiko gardhin tënd që të është çarë. Vetëm sot qytetarë të Dajtit dorëzuan testerat e PS-së dhe iu bashkuan PDIU-së”.