Sot 60 vjet më parë, Europa dhe bota do të ndaheshin për tre dekada.

Ushtria sovjetike filloi ndërtimin e murit të Berlinit mbrëmjen e 13 gushtit të vitit 1961 me qëllim pengimin e lëvizjes së çdo qytetari nga pjesa lindore në atë perëndimore të Gjermanisë.

Nisur nga kjo ngjarje që i shkaktoi vendit shumë dhimbje dhe jetë të humbura, ambasadat gjermane në të gjithë botën kanë ulur flamurin në gjysmë shtizë.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe ambasada gjermane në Tiranë, e cila ka shpjeguar gjithashtu përmes një postimi në rrjetet sociale qëllimin e veprimit.

“Natën e 13 gushtit 1961, u dha urdhri për ndërtimin e Murit të Berlinit. Muri qëndroi për 28 vjet dhe u kthye në simbolin e Luftës së Ftohtë, e konfrontimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai ndau Berlinin Lindor me atë Perëndimor, Republikën Federale me RDGJ-në, por edhe familjet dhe miqtë.

Mijëra personave ju refuzua largimi nga vendi. 140 persona humbën jetën në përpjekje për të kapërcyer murin për tu larguar nga RDGJ – deri në vitin 1989 kur një Revolucion Paqësor i hapi rrugën ribashkimit të gjithë Gjermanisë. Për fat të mirë, sot muri është histori!

Në simbol zie për këtë ngjarje që ndau Gjermaninë kaq gjatë, Ambasada në Tiranë, si dhe të gjitha Misionet Diplomatike gjermane në të gjithë botën kanë ulur flamujt në gjysmë shtizë”, shkruan ambasada gjermane në Tiranë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re