Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Vincenzo Del Monaco tha sot se gazetaria është një pjesë thelbësore e mozaikut demokratik dhe nxitës i progresit.

Duke folur në konferencën e organizuar nga OSBE “Gazetari në kohë krizash”, Del Monaco tha në shqip se dashuria për popullin shqiptar ka nisur në 2013 kur ishte për herë të parë në një konferencë të tillë.

Ai tha se liria e medias nuk duhet marrë e mirëqenë në asnjë vend të botës.

“Hera e fundit që Shqipëria organizoi këtë konferencë ishte në 2013. Ishte viti i parë që vizitova këtë vend të mrekullueshëm dhe dashuria ime për popullin shqiptar ka nisur që atëherë.

Gazetaria në kohë krizash është për fat të keq një titull i përshtatshëm. Nuk do ta përmend se si pandemia ndikon funksionimin e institucioneve demokratike. Aktualisht po përjetojmë një sërë krizash brenda dhe përtej OSBE-së. Gazetaria është një pjesë thelbësore e mozaikut demokratik dhe nxitës i progresit demokratik.

Ne duam t’i mbajmë sytë tek panorama e madhe dhe kjo përqendrohet tek individët që punojnë për një shoqëri të hapur dhe që punojnë për një rend të sigurt botëror.

Progresi i medias me 20 vjet më parë është përtej çdo kundërshtimi. Liria e medias nuk duhet marrë e mirëqenë në asnjë vend të botës.

Pengesat duhen trajtuar shpejt dhe në mënyrë serioze. Gazetarët duhet të punojnë të sigurt, të mbështesin gazetarinë në fakte, të sigurohet pavarësia e gazetarëve”, tha ambasadori i OSBE.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re