Ndërsa autoritetet shëndetësore së bashku me prokurorinë kanë nisur hetimet lidhur me helmimin masiv të ndodhur në qytetin e Krujës, numri i qytetarëve që paraqiten pranë spitalit me simptoma të ndryshme vazhdon të shënojë rritje.

 

Vetëm në 24 orët e fundit kanë marrë ndihmë mjekësore rreth 150 banorë. Pasi janë mjekuar ata janë larguar më pas drejt banesave të tyre. Deri më tani, raportohet për afro 500 qytetarë të helmuar, mes të cilëve dhe dhjetëra fëmijë.

 

Ndërkohë, spitali ka ndaluar hyrjen e mediave në ambientet e brendshme, krahas rojeve private këtë të mërkurë pati prezencë të madhe dhe të uniformave blu.

 

Nga ana tjetër si bashkia, spitali, por dhe ujësjellësi të kontaktuar nga Vizion Plus lidhur me situatën e krijuar shmangen reagimet, duke mos dhënë asnjë informacion për situatën.

 

Dyshimet paraprake janë se helmimi mund të ketë ndodhur për shkak të kontaminimit të ujit të pijshëm. Kjo pasi sipas ndërmarrjes së ujësjellësit nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. Gjithsesi, rasti mbetet të verifikohet.

 

Nga ana tjetër, të gjithë banorët e rrethit Krujë prej dy ditësh po përballen me mungesën e ujit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re