Roman Anin është gazetar hulumtues rus që punon për Novaya Gazeta dhe është në mesin e themeluesve të medias së pavarur, iStories, që u krijua më 2020.

 

 

Ai ka ligjëruar lëndën e gazetarisë në Moskë dhe ka punuar për rrjete ndërkombëtare, përfshirë Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) dhe në Projektin për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP). Gjithashtu, ai ka hulumtuar miliona dokumente, në hulumtimin që njihet si Letrat e Panamasë. Anin, po ashtu ka raportuar për udhëheqjen brenda Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

 

Radio Evropa e Lirë: Një qasje monarkike?

 

 

Roman Anin: Pikërisht. Sipas meje, ai vetëm dëshiron të jetë aty ku është tani: lider i Çeçenisë, të mbretërisë së Çeçenisë, një person që mund të bëjë çfarë të dojë në Çeçeni dhe të vazhdojë të marrë para federale. Është një shtet i jashtëzakonshëm brenda një shteti që financohet nga të gjithë rusët. Çeçenia, sipas meje, mbi 90 për qind varet nga paratë që vijnë nga buxheti federal. Prandaj, nuk mendoj se ai ka ndonjë ambicie tjetër veçse të qëndrojë në pushtet dhe të vdesë në fronin e tij, dhe t’ia japë pushtetin një prej familjarëve të tij.

 

 

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për një figurë tjetër. Kemi një mori klanesh, sikurse ai i [sekretarit të Këshillit të Sigurisë, Nikolai] Patrushev, [miliarderit, Yuri] Kovalchuk, [oligarkut, Igo] Sechins, e kështu me radhë. Si i vlerësoni shanset e tyre për marrjen e drejtimit të shtetit?

 

 

Roman Anin: Sigurisht, që të gjitha këto figura janë të ndryshme. Besohet se – mendoj se është fakt – Kovalchuk është njeriu i dytë më i fuqishëm në shtet. Ai është një prej njerëzve më të afërt të Putinit, dhe definitivisht ishte ai që e dinte për pushtimin, dhe ndoshta ishte ai që ndikoi në këtë vendim. Nuk e dimë, por kështu mendojnë shumica e ekspertëve. Njëkohësisht, këta persona konsiderohen si miqtë më të vjetër të Putinit, sikurse Sechin, [drejtuesi i konglomeratit të mbrojtjes, Rostech, Sergei] Chemezov, Kovalchuk. Po ashtu, ka shumë përplasje mes tyre. Për shembull, [drejtuesi i Transneft, Nikolay] Tokarev, që ka shërbyer së bashku me Putinin në Gjermani si pjesë e KGB-së, vazhdimisht përplaset me Sechinin, i cili po ashtu është një mik i vjetër i Putinit. Në disa raste, këto përplasje kanë rezultuar në raste penale kundër personave të tjerë. Personat brenda qarqeve të brendshme nuk mund të iniciojnë raste penale ndaj njëri-tjetrit, prandaj ata iniciojnë raste të tilla ndaj njerëzve të tretë apo katërt, vartësit e bëjnë këtë dhe kjo nuk ka ndryshuar. Burimet po më thonë se këto përplasje janë intensifikuar gjatë vitit të fundit, sepse torta është bërë më e vogël, ata e kuptojnë se rreziqet janë të larta, dhe, sigurisht, ata duan të mbrojnë klanin e tyre në mënyrën më të mirë dhe duan të dobësojnë klanet e tjera. E gjitha kjo po zhvillohet pas perdeve. Por, më e rëndësishmja, shumicën e tyre ne nuk i shohim.

 

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj, ju në njëfarë mënyre i ndani këta persona në tri kampe kryesore. Një prej tyre thatë se ishte “i etur për gjak”, ku bëjnë pjesë njerëz sikurse Prigozhin dhe të tjerë. Kampin e dytë e keni përshkruar si “të privilegjuarit”, ku përfshihet rrethi i brendshëm i Putinit, sikurse oligarkët dhe njerëzit e sektorit të financave. Ndërkaq, ju thatë se ka edhe një kamp tjetër të “patriotëve”, pra njerëz që duan të largojnë personat që kanë pushtet në Kremlin për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, por po ashtu ata duan ta fitojnë luftën. Si po zhvillohet kjo garë?

 

 

Roman Anin: Opsioni më i mirë për Rusinë – jo vetëm për Rusinë, por edhe për Ukrainën dhe mbarë botën – do të ishte nëse do të fitonte klani i “të privilegjuarve”. Çfarë dua të them është se brenda rrethit të brendshëm të Putinit – nuk ka njerëz të mirë, që të gjithë janë të korruptuar dhe që të gjithë janë të përshirë në krime të ndryshme – ka disa persona që janë më të arsyeshëm sesa Prigozhin dhe Strelkov. Nëse koalicioni i këtyre personave e kuptojnë se në fund ata mund ta ndalin luftën dhe mund të ndryshojnë gjithçka në Rusi shumë shpejt. Imagjinoni situatën ku ky koalicion klanesh e dorëzon Putinin para Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe premton se “ne do të tërheqim të gjitha trupat nga Ukraina në kufijtë e vitit 1999, do t’i japim Ukrainës garanci të sigurisë dhe në këmbim Perëndimi të na japë garanci për sigurinë tonë, të aseteve tona, të anulojë të gjitha sanksionet dhe të nisim gjithçka nga fillimi”. Besoj se Perëndimi, që veçse është i lodhur nga kjo luftë, do të pajtohej me këtë, sepse do të nënkuptonte fitore për Ukrainën, fundin e luftës dhe nisjen e një raporti të ri me Rusinë. Ky do të ishte skenari më i mirë. Vërtetë shpresoj që një koalicion, i atyre që ne i quajmë “të privilegjuar”, sa më shpejt ta kuptojë këtë. Në të kundërtën, Rusia do të mbetet diku midis Prigozhinit dhe Strelkovit. Dhe, ky nuk është një opsion i mirë./VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re