Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se nuk do të lejojë “bunkerizimin e PD nga Sali Berisha”, për analistin Andi Bushati tregon “humbje të ekuilibrit”.

“Ka treguar humbje ekuilibri ditët e fundit. Dje për një fjalë goje kërcënoi me përjashtim. Sot në mëngjes iu vesh gazetares pa lidhje. Ka një çekuilibrim dhe deklarata duhet parë në këtë kuadër”, tha ai në emisionin “Shock” në Euronews Albania

Sipas Bushatit kjo vjen sepse “Basha nuk ka vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj Sali Berishës dhe kundërshtarëve të tij që po shtohen brenda partisë”.

Kurse për Baton Haxhiun qëndrimi ndaj Flamur Nokës është i drejtë pasi “ka qenë në krye të sulmeve ndaj Bashës duke e akuzuar se është peng i Ramës”.

“Fyerja dhe denoncimi i kryetarit bëhet në betejë të brendshme nuk bëhet në publik. Mendimi ndryshe duhet të lejohet deri në një shkallë por kur dikush bëhet më i keq se sa kundërshtari”, deklaroi ai.

Analisti Bushati shtoi se fraza e bunkerizimit është akuza e parë e Bashës ndaj Berishës, por shtoi se konflikti politik mes tyre mund të zgjidhet vetëm me votë.

“Basha mund të ketë të drejtë por duhet të fitojë me votë përballë Berishës. Në demokraci ne njohim vetëm votën”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re