Detaje të reja dalin në dritë nga atentati i dështuar që ndodhi dje në afërsi të Fushë-Krujës.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se për ngjarjen janë shoqëruar 4 persona, ndërkohë që si Gentian Bejtja, si Klodian Stafuka kanë thënë se nuk i njihnin autorët, që dyshohet se kanë qëllua nga një makinë e zezë.

Personat e shoqëruar janë në cilësinë e atyre që kanë dijeni mbi ngjarjen.

Paraprakisht dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë Bejtja, një ish-polic në burgun e Fushë Krujës, ndaj të cilit dhe më herët ka pasur një tentativë për vrasje, përmes vendosjes së tritolit në makinë.

Ai kishte pak muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi ishte zhvendosur drejt Italisë. Ish-polici ka qenë i përfshirë dhe në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Në vendin e ngjarjes në afërsi të fshatit Larushk janë gjetur 10 gëzhoja plumbash.

“Ishim në Fushë Krujë dhe po ktheheshim, na doli në rrugë një makinë e zezë dhe na qëlluan, nuk e pashë kush ishte brenda saj, pasi i dhashë gaz makinës sime”, është shprehur në dëshminë e tij Bejtja.

Për shkak se mjeti që drejtohej nga Bejtja ka dalë nga rruga, mori dëmtime edhe Stafuka, por të dy të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën, dhe pritet që të lënë ambientet e spitalit.

(E.K/Faxweb.al)

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re