Kryetarja e Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka u konfirmua përfundimisht në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të enjten pasi arriti të bindë shumicën e trupës gjykuese se pasuria e babait të saj nuk kishte lidhje me gjendjen e saj financiare. Sipas KPA babai nuk u konsiderua si person i lidhur pasi nuk kishin marrëdhënie interesi financiar.

Kolgjoka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit në vitin 2018 pasi u gjykua se pasuria e saj në formën e kursimeve në masën 2.7 milionë lekë ishte tërësisht e shpjegueshme me nivelin e saj të të ardhurave.

Por në janar 2019, komisioneri publik Dariel Sina e konsideroi hetimin e KPK të paplotë dhe ngriti pikëpyetje mbi pasurinë e prindërve të gjyqtares, një apartament me sipërfaqe 141 metra katrorë në Tiranë. Procesi i shqyrtimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit zgjati mbi një vit e gjysmë dhe përfundoi me konfirmimin në detyrë të Kolgjokës pasi komisioneri publik u bind se apartamenti i prindërve të gjyqtares nuk ka lidhje me gjendjen e saj financiare.