Arjana Fullani dhe Evelina Qirjako duke dalë nga seanca në KPA

KPA ka shpallur vendimin për ankimimin e Arjana Fullanit kundër vendimit që e përjashtoi atë nga sistemi i drejtësisë për 15 vite.

Sipas KPA-së, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për vetting-un, Fullani ishte gjyqtare dhe vendimi i KPK-së është i drejtë dhe duhet të lihet në fuqi.

Fullani kërkoi shfuqizimin e vendimit të KPK të korrikut 2019, përmes të cilit ajo përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Ky vendim u mor pas interpretimit të Komisionerëve të vetingut se ish-gjyqtarja e Lartë kishte hequr dorë nga statusi i magjistrates.

Sipas Fullanit, vendimi i KPK për ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj saj, ishte marrë në një proces të parregullt ligjor.

Përmes avokates Evelina Qirjako, Fullani tha se nuk ishte njoftuar nga KPK për trupin gjykues, me të cilët mund të kishte konflikt interesi, nuk i ishin vënë në dispozicion dokumentet e përdorura nga KPK, nuk ishte dëgjuar dhe nuk i ishte dhënë e drejta për tu mbrojtur.

Vetë Fullani theksoi se kërkesa e saj nuk ishte manovër për t’u rikthyer në sistem duke shmangur vetingut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re